Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim një projektligj

  • Postuar më, 31/10/2018

31 tetor 2018

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, shqyrtoi dhe miratoi në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”. Projektligji vinte si iniciativë ligjore e deputetit të komisionit, z. Alket Hyseni. Të pranishëm në komision ishin z. Artur Metani, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë si edhe ekspertë nga EURALIUS dhe nga OSBE.

Nismëtari i projektligjit, z. Alket Hyseni, lidhur me qëllimin e përmirësimeve ligjore të paraqitura, u shpreh që: “ janë ndryshime të domosdoshme, për t’i dhënë avokaturës rolin e saj dhe vendin e saj si një institucion i një niveli të lartë në mbrojtje të interesave pasurore shtetërore, e pandikuar dhe e pavarur qoftë edhe nga ministri apo ministria e caktuar, duke rikthyer varësinë e këtij institucioni, ose duke e ngritur varësinë e këtij institucioni në varësinë e Këshillit të Ministrave, për ta bërë atë të jetë më pranë interesave të drejtpërdrejta shtetërore dhe larg ndikimeve dhe influencave të ministrit të linjës, apo të interesave më të ngushta personale”. Relatorja e projektligjit, znj. Klotilda Bushka, dha dakordësinë dhe mbështetjen e saj në parim për risitë që projektligji sjell.

Z. Artur Metani, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, bëri me dije në komision që projektligji shkon për shtat me nevojat në vite të institucionit. “Te gjitha ndryshimet e propozuara nga deputeti, ne i gjejmë brenda natyrës dhe nevojave që ka institucioni dhe mbështesim këtë projektligj”,- u shpreh ai. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, EURALIUS-it dhe OSBE-së dhanë pëlqimin e tyre parimor për projektligjin. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”.