Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 06/11/2018

6 nëntor 2018


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8331, dt. 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, i ndryshuar, gjithashtu miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit që ndryshon Memorandumin e Mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së Bashkimit Evropian”.  

Të pranishëm në komision për shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8331, dt. 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, i ndryshuar, ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe nga misioni ndërkombëtar EURALIUS. Relatori i projektligjit, z. Adnor Shameti, e cilësoi të rëndësishme qe drafti te adresoje problematikat aktuale dhe e harmonizon me ndryshimet e vitit 2017 në Kod Penal, Kod Procedure Penale dhe në Kodin e drejtësisë penale për të mitur. “Procesi i konsultimit dhe nevoja për ta harmonizuar draftin e depozituar, me kodet e sipërcituara, sollën nevojën e propozimit të një numri të konsiderueshëm të dispozitave të reja, në krahasim me propozimet e parashikuara në variantin e depozituar origjinal. Varianti i projektligjit që po paraqitet sot për shqyrtim është një variant i integruar ndërmjet variantit të propozuesit dhe amendamenteve të relatorit, që kanë lindur të nevojshme gjatë procesit të konsultimit”, - u shpreh z. Shameti lidhur me projektligjin. Në shqyrtimin nen për nen, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe EURALIUS-it dhanë qëndrimet përkatëse lidhur me ndryshimet e propozuara. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin me shumicë votash.

Lidhur me projektligjin “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit që ndryshon Memorandumin e Mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së Bashkimit Evropian”, në komision e pranishme ishte znj. Alma Emini, përfaqësuese e Ministrisë së Brendshme, që relatoi shkurtimisht për komisionin përmbajtjen e projektligjit. Relatorja e komisionit, znj. Elena Xhina dha dakordësinë e saj me ndryshimet e paraqitura. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.