Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Postuar më, 06/11/2018
Komisioni
për Politikën e Jashtme shqyrtoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit
2019”, për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. I ftuar në mbledhjen e
komisionit ishte Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati.
Ministri
për Evropën dhe Punët e Jashtme, në paraqitjen e tij tha se buxheti që
ministria kërkon parashikohet të jetë 3 përqind në rritje për vitin 2019 ne
raport me buxhetin e vitit 2018, pra në një llogaritje zë 0.76 përqind të
produktit të brendshëm bruto.
“Është
një buxhet i cili synon realizimin e prioriteteve që ne kemi për 2019,
integrimin evropian të vendit pra vijimin e procesit screening, zbatimin e marrëveshjes
së stabilizim asociimit dhe gjithë punës bashkërenduese për procesin e fillimit
të bisedimit për anëtarësim dhe koordinimin e asistencës që jep Bashkimi Evropian.
Pjesë je këtij prioriteti janë edhe aktivitetet kryesore që bëjmë gjatë gjithë
vitit.”,- theksoi ministri Bushati.
Relatori,
z. Ervin Bushati u shpreh se orientuar nga prioritetet e politikës së jashtme,
projektbuxheti i vitit 2019 mundëson kapacitetet e nevojshme të mbështetjes
financiare, me qëllim përmbylljen e reformave të nisura gjatë viteve të
mëparshme dhe realizimin e objektivave të reja.
“Kryesimi i disa nismave rajonale dhe organizatave ndërkombëtare, pjesëmarrja aktive dhe
realizimi i kontributit të Republikës së Shqipërisë në kuadër të NATO-s,
zbatimin e detyrimeve të anëtarësimit në organizata dhe forume shumëpalëshe,
plotësimin e bazës ligjore të bashkëpunimit me vendet e tjera, forcimin dhe
rritjen e rolit të diplomacisë publike ekonomike dhe diasporës, në shërbim të interesave
ekonomike të Shqipërisë, promovimi dhe potenciali për investime, tregti dhe
bashkëpunim ekonomik, tregtar dhe kulturor me partnerët tanë ndërkombëtarë dy
dhe shumë palësh, janë disa nga objektivat kryesore.”,- cilësoi ndër të tjera
relatori z. Ervin Bushati.
Pas
diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve, paraqitja dhe kërkesat e Ministrit
Bushati për mbështetje financiare nga buxheti 2019 u miratua në parim.