Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi në parim projektligjin "Për Buxhetin e vitit 2019", për Ministrinë e Kulturës

  • Postuar më, 07/11/2018

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi  në parim  projektligjin "Për Buxhetin e vitit 2019", për Ministrinë e Kulturës

E pranishme në komision për të prezantuar buxhetin e vitit 2019 ishte Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro.

Znj. Kumbaro tha se projektbuxheti 2019 për këtë ministri është në vlerën 1 miliard e 165 milionë e 867 mijë lekë dhe  krahasuar me vitin 2018, ka një rritje prej 0.8%.

Ministria e Kulturës, u shpreh  znj. Kumbaro  ka vijuar në këtë mandat të dytë me sfidën e qëndrueshmërisë së politikave dhe thellimit të arritjeve. Sfidat e Ministrisë së Kulturës për vitin 2019 janë të shumëfishta: “Sfidë cilësore: tashmë nuk flitet për emergjenca por për standarde;sfidë financiare: tashmë nuk flitet për borxhe, por për intensifikim të investimeve kulturore; sfidë e pavarësimit të kulturës e të skenës së pavarur nga strukturat shtetërore: duke shtuar burimet e financimit dhe partneritetet publik-privat; sfidë e shfrytëzimit të kulturës jo vetëm si krenari dhe estetikë, por edhe si burim ekonomie dhe turizmi.”

Gjithashtu, vijoi ministrja Kumbaro,  në sajë të angazhimit të veçantë janë ngritur fonde dhe planifikuar projekte e investime konkrete në të gjitha rajonet e Shqipërisë për Ministrinë e Kulturës, nëpërmjet koordinimit të disa sektorëve strategjikë të qeverisjes qendrore dhe partnerëve, Veçojmë këtu bashkëpunimin tepër të frytshëm me Fondin Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit, Delegacionin Evropian në Shqipëri, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, Bankën Botërore, PNUD-in etj.

Përsa i takon, pagave dhe sigurimet shoqërore, z. Kumbaro tha se  këtë vit janë rritur me 3%, kurse shpenzimet koherente janë rritur në masën 12 % dhe shpenzimet nga të ardhurat kanë një rritje prej 17 %.

“Nisur nga treguesit e mësipërm, projektbuxheti i vitit 2019 krahasuar me projektbuxhetin e vitit 2018 ka një rritje prej 156 milion lekë, nga të cilat 55 milion lekë në investime dhe në korente 101 milion lekë, ku për tu theksuar është rritja e shpenzimeve nga të ardhurat (602/5) prej 31 milion lekë si rezultat i rritjes së të ardhurave këtë vit, si dhe plotësimi i nevojave për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore. Për tu theksuar është se kjo rritje në të ardhurat do të shkojë e gjitha në mirëmbajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore”, shtoi znj. Kumbaro. 

Ministrja znj. Kumbaro u ndal edhe tek trashëgimia Kulturore,  që është një potencial i jashtëzakonshëm dhe kthimi i saj në destinacion gjithëvjetor turistik dhe nxitës për një zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, kërkon ruajtjen dhe rehabilitimin e vlerave të saj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ministrja sqaroi se krahasuar me vitin 2018 kemi një ulje të shifrës së investimeve në trashëgiminë kulturore, por kemi një rritje të shifrës së investime në programin art-kulturë dhe një rritje, dyfishim të shifrës së shpenzimeve koherente, të cilat përdoren për mirëmbajtje të trashëgimisë kulturore.

Zëvendëskryetarja e komisionit, znj. Milva Konomi duke falënderuar ministren për prezantimin e saj të detajuar, tha se intensiteti i aktiviteteve kulturore do të vijojë duke u shoqëruar me fushata mbarëkombëtare, të cilat kanë për qëllim nxitjen e edukimit nëpërmjet kulturës.

Po sot, komisioni zhvilloi  seancë dëgjimore në parim të projektligjit "Për Buxhetin e vitit 2019" me: Akademinë e Shkencave, Akademinë e Studimeve Albanologjike, RTSH,  Qendra Kombëtarë e Kinematografisë (QKK).