Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi seancë dëgjimore me institucionet e fushës së tij të përgjegjësisë

  • Postuar më, 07/11/2018

7 nëntor 2018

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, në kuadër të diskutimit në parim të projektbuxhetit për vitin 2019, nisi sot seancat dëgjimore me institucionet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionale brenda fushës së përgjegjësisë së komisionit. Të pranishëm në mbledhjen e sotme ishin përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, Shkolla e Magjistraturës, Gjykata Kushtetuese, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, Presidenca, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioni i Pavarur i Apelimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisionerët Publikë dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në koordinim me relatorin e projektbuxhetit për komisionin, z. Bashkim Fino, titullarët e institucioneve të pranishme në mbledhje, i paraqitën komisionit kërkesat e tyre në lidhje me projektbuxhetin. Zëvendësministri i Brendshëm, z. Julian Hodaj; z. Luan Abazi, drejtori i Drejtorisë së Financës në Prokurorinë e Përgjithshme; z. Sokol Sadushi, drejtori i Shkollës së Magjistraturës; z. Eugen Papandile, sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese; znj. Luljeta Laze, drejtore e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor; z. Alqi Bllako, sekretari i Përgjithshëm i Presidencës; z. Klement Zguri, kryetari i KQZ-së; znj. Laerta Poda, sekretarja e Përgjithshme e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit; znj. Genta Tafa Bungo, kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit; z. Florian Ballhysa, komisioneri publik dhe z. Besnik Dervishi, komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, njeri pas tjetrit, shprehën në komisionin e ligjeve sugjerimet dhe kërkesat e institucioneve të tyre për t’u pasqyruar në raportin që do t'i paraqitet komisionit përgjegjës të Ekonomisë dhe Financave.