Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nisi diskutimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2019”

  • Postuar më, 07/11/2018

7 nëntor 2018


Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në drejtimin e zëvendëskryetares, znj. Elisa Spiropali, nisi sot diskutimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2019”. E pranishme në komision për prezantimin e projektbuxhetit ishte znj. Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Erjon Luçi.

Drejtuesja e mbledhjes së komisionit, znj. Spiropali, në fjalën e saj hapëse dha disa konsiderata për projektbuxhetin e vitit 2019. Znj. Spiropali u shpreh e kënaqur për rritjen e buxhetit të ministrisë në nivelin 6%, si vlerë absolute. Ajo e konsideroi buxhetin si tregues të angazhimit të mazhorancës për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë. “Fakti që ky buxhet parashikon rritje të investimeve në kujdesin parësor dhe atë spitalor, në nivel terciar dhe spitale rajonale, besoj se e shënjestron këtë angazhim, që ne kemi marrë, pra është një instrument i rëndësishëm për të luftuar pabarazinë dhe varfërinë ne vend”, - tha znj. Elisa Spiropali. Lidhur me mbrojtjen sociale, zëvendëskryetarja e komisionit u shpreh: “Rikonceptimi i mbrojtjes sociale, shihet jo si lëmoshë e shtetit për të mbajtur frymën gjallë, por si një mundësi e njerëzve për t’u punësuar e jetuar me dinjitet me një pagë më të mirë. E gjithë reforma jonë e mbrojtjes sociale, ndihmës ekonomike, synon këtë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, u shpreh se buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2019 reflekton angazhimet politike të mazhorancës në të dy sektorët, në shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Ministrja e konsideroi buxhetin të konsoliduar dhe vuri në dukje se bëhet i pesti vit radhazi që vjen me rritje. Sipas saj, buxheti përmirëson shërbimin shëndetësor në vend, duke rritur investimet në funksion të përmirësimit dhe synimit të rritjes së aksesit në shërbim. Ministrja Manastirliu u shpreh se buxheti ul barrierat, zbut pabarazitë dhe financon më mirë shërbimet shëndetësore dhe sociale. Sipas ministres buxheti rritet në masën 6 %, ku buxheti i shëndetësisë shprehet si 4.31% e Produktit të Brendshëm Bruto dhe buxheti i Mbrojtjes Sociale si 1.4% të Produktit të Brendshëm Bruto.  “Garantojmë një rritje të investimeve në shëndetësi dhe mbrojtje sociale, rritemi me 20% nga buxheti i investimeve, që është zëri kryesor i investimeve në shëndetësi. Buxheti financon programe të rëndësishme në shëndet publik, kujdes parësor, spital publik dhe rajonal”, - u shpreh ministrja, duke theksuar se buxheti i vitit 2019 do të vijojë të mbështesë te gjithë sektorin shëndetësor ndërmjet një financimi te konsoliduar. Ajo theksoi gjithashtu se buxheti i vitit 2019 parashikon financimin e mbulimit universal për kontrollin bazë mjekësor në grupmoshat 35-70 vjeç, i vjen në ndihmë familjeve shqiptare në nevojë, mundëson lehtësimet në hallkat e sistemit të referimit për popullsinë rezidente në vend, financimin e shërbimit të urgjencës mjekësore 24 orë në ditë për 7 ditë të javës, shtimin e vëmendjes për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve në vendet e largëta,  mbulimin e shpenzimeve të sistemit spitalor dhe sistemit parësor, rikonstruktimin tërësor dhe pajisjen e njëqind qendrave shëndetësore ambulatore në të gjithë vendin, rritjen e pagave për mjekë dhe infermierë etj. Theks, lidhur me projektbuxhetin, znj. Manastirliu vendosi edhe mbi investimet e mëdha të parashikuara, si për shembull Spitali i Sëmundjeve të Brendshme.   

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, iu përgjigj interesit dhe pyetjeve të deputetëve të pranishëm lidhur me çështje të caktuara të buxhetit.