Komisioni për Politikën e Jashtme, shqyrtoi dy projektligje të rëndësishme
- Postuar më, 07/11/2018
Komisioni për Politikën e Jashtme mori sot në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor” në cilësinë e komisionit përgjegjës.
Projektligjin e prezantoi zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme
znj. Artemisa Dralo e cila gjatë fjalës së saj tha se kjo është një marrëveshje
e cila synon të mbështesë shkëmbimet rajonale të të rinjve, ndarjen mes tyre të
ideve, bazuar në vlerat e tolerancës dhe respektit për të drejtat e njeriut,
angazhimin për gjithë përfshirje. Relatori i projektligjit, deputeti Andrea
Marto ftoi komisionin për një votim në favor të ratifikimit të marrëveshjes
pasi sipas tij ajo është një bazë shumë e mirë për bashkëpunimin në të ardhmen,
duke përfshirë edhe vlerat e diversitetit me fokus në parimet e qeverisjes
demokratike, zhvillimin e arsimit dhe inovacionit.
Ndërkohë po ditën e sotme, Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi në
cilësinë e komisionit për dhënie mendimi edhe projektligjin “Për ratifikimin e
marrëveshjes së bashkëfinancimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të
Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe
Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe Fondit të Kombeve të Bashkuara për
Popullsinë”. Prezente në komision ishte zëvendësministrja për Shëndetësinë dhe
Mbrojtjen Sociale znj. Mira Rakacolli, e cila nënvizoi se nga studimi që pritet
të realizohet në një kampion të madh të popullatës do të ofrohen të dhëna të
vlefshme demografike dhe shëndetësore që nuk ofrohen nga të dhënat
administrative dhe nga studime të tjera.
Në përfundim të mbledhjes projektligjet u miratuan në parim dhe nen për
nen.