Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019” për ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Postuar më, 07/11/2018
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019” për ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
I ftuar në komision ishte Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, z. Damian Gjiknuri.
Gjatë prezantimit të buxhetit, ministri e vuri theksin te zgjerimi i rrugëve kombëtare nëpërmjet ndërtimit, rehabilitimit dhe sistemimit. Më pas, z. Gjiknuri u shpreh : “Trajtimi i mbetjeve në mënyrë të kontrolluar sanitare, nëpërmjet vazhdimit të ndërtimit të impianteve të reja të trajtimit të mbetjeve të ngurta dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese, janë gjithashtu në parashikimet e buxhetit 2019.”
Pas prezantimit, anëtarët e komisionit i drejtuan ministrit pyetje si edhe komente e sugjerime të tjera.
Për paraqitjen e radhës për projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, i ftuar ishte ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi.
Z. Peleshi u shpreh se bujqësia komerciale, çelësin e suksesit në vitet e fundit e ka tek shtimi i kapaciteteve grumbulluese, përpunuese e pikave të grumbullimit ndaj do te vazhdojë mbështetja për rritjen e numrit dhe shtimin e kapaciteteve të pikave të grumbullimit në gjithë vendin. Gjithashtu, sa i përket fushës së blegtorisë , z.Peleshi tha se ministria synon që çdo një si administrative të ketë veterinerin e saj dhe në ato njësi që ka më shumë blegtori mund të kenë nevojë më shumë se për një veteriner.
Më tej, ministri u ndal tek siguria ushqimore, ku tha se ajo që ndryshon tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është që nëse deri sot një inspektor i AKU s’ka të drejtë të hyjë në fermë kur ka indicie për problematikat e sigurisë ushqimore, me ndryshimet e ligjit të ri do të ketë të drejtë të kontrollojë në fermë , sepse sot është e ndaluar që të hyjë në fermë një inspektor i autoritetit kombëtar të ushqimit.
“Tek programi i sigurisë ushqimore duhet të rialokojmë, të kthejmë 100 milionë lekë , sepse pa këto shpenzime operative nuk e kemi dot të mundur të plotësojmë rekomandimet Bashkimit Evropian, të cilat janë të rëndësishme dhe vendimtare për vazhdimësinë e eksporteve të produkteve tona”, theksoi z. Peleshi.
Ministri u ndal edhe tek menaxhimi infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, ku duhet një buxhet i mirë për parandalimin e përmbytjeve natyrore, të cilat janë një problem i përhershëm.
Në fund të prezantimit, deputetët shtruan komentet dhe pyetjet e tyre mbi këtë projektbuxhet të ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.