Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, për Ministrinë e Mbrojtjes

  • Postuar më, 08/11/2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi  në parim  projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, për Ministrinë e Mbrojtjes   

Në fjalën e saj, Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xaçka u shpreh se buxheti për vitin 2019 është në masën 1.20% të PBBhëm bruto, ndërsa  shpenzimet kapitale  zënë 11% e buxhetit të MM. Sipas saj, drejtimi sa më efikas i një strukture të tillë si Ministria e Mbrojtjes, strukturë e cila tashmë ka marrë më shumë përgjegjësi në sigurinë e brendshme kërkon edhe një mbështetje më të arsyeshme buxhetore. 

Me anë të këtij projektbuxheti, tha ministrja synojmë vijimësinë e përmbushjes së objektivave si në planin kombëtar, ashtu dhe të detyrimeve që kemi ndaj NATO-s. 

Në këtë kuadër, projektbuxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2019 është hartuar bazuar në kërkesat e strukturave të Forcave të Armatosura,për ruajtjen e Kapaciteteve, për të gjithë zërat buxhetorë duke filluar nga shpenzimet e personelit, shpenzime për mallra e shërbime, ashtu dhe zërin e shpenzimeve kapitale. 

“Mbështetja për personelin në masën 32% të totalit të shpenzimeve;  stërvitjet kombëtare dhe ndërkombëtare në masën 4% të shpenzimeve;  arsimimi dhe kualifikimi në masën 3% të shpenzimeve;  modernizimi i Forcave të Armatosura me pajisje në masën 9% të shpenzimeve; mbështetja me mallra e shërbime në masën 29% të shpenzimeve; mbështetja Sociale për Ushtarakët në masën 24%”, tha ministrja znj. Xhaçka . 

Projektbuxheti i Ministrisë së Mbrojtjes synon të arrijë disa objektiva të rëndësishëm jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në aspekte të tjera, të cilat ndikojnë jo pak në ekonominë e vendit tonë. 

Ndër objektivat ushtarakë që do të mbështesë ky buxhet,  ministrja theksoi  si më të rëndësishëm investimet në modernizimin e Bazës së Kuçovës, për këtë është rënë dakord nëpërmjet zbatimit të disa projekteve që do të jenë investim i përbashkët midis Qeverisë shqiptare dhe NATO-s. 

Ministrja u ndal tek Samiti i NATO-s, i mbajtur në Wells, në shtator 2014, ku Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës morën zotimin e ndalimit të tendencës së uljes së buxheteve të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe rritjen graduale të buxhetit për të arritur nivelin e 2% të PBB, deri në vitin 2024. 

“Në përputhje me këtë zotim, edhe vendi ynë i është bashkuar Aleancës dhe ka marrë angazhimin politik për rritjen e buxhetit të mbrojtjes duke rritur njëkohësisht edhe nivelin e shpenzimeve kapitale, dhe ky angazhim iu është përcjellë instancave më të larta drejtuese të NATO-s”, sqaroi znj. Xhaçka.

Kryetarja e komisionit znj. Ermonela Felaj tha se  buxheti për vitin 2019 i Ministrisë së Mbrojtes ka ardhur në rritje, krahasuar me 2018.  

Relatori, Xhemla Qefalia tha se buxheti është fokusuar në rritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturën e kësaj ministrie, kryesisht në Forcat e Armatosura duke pasur një plan afatgjatë të zhvillimit.

Z. Qefali tha se vendimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut është për ta kthyer Shqipërinë nga një vend anëtar, në infrastrukturë të NATO-s dhe për ta kapërcyer ose për t’i shtuar standardit tonë me NATO-n këtë stad.

“Kjo është një gjë shumë pozitive, jo vetëm për komunitetin ku do të ngrihet, pra për Kuçovën, përmes investimit që do të bëhet atje dhe të gjitha benefitet që vijnë nga investimet, por kjo është një gjë pozitive për të gjithë vendin, për faktin se është një vlerësim nga ana e Aleancës për kontributin e Shqipërisë, për rolin e saj për sigurinë dhe për paqen, por edhe në projektimin e paqes përtej vendit tonë. Dua t’ju them që Shqipëria është sot një nga vendet që angazhohet më së shumti me kontributin e saj, me trupat e saj në të gjitha operacionet ndërkombëtare të Aleancës dhe ky është një fakt shumë i vlerësuar prej tyre. Shqipëria është një faktor stabiliteti për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe sërish ky rol është vlerësuar në vendimin e tyre për të sjellë bazën”, përfundoi ai.