Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vijoi seancat dëgjimore me institucionet e fushës së tij të përgjegjësisë

  • Postuar më, 08/11/2018

8 nëntor 2018

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, në vijim të diskutimeve në parim të projektbuxhetit për vitin 2019, zhvilloi edhe sot seancë dëgjimore me disa institucione të tjera, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionale brenda fushës së përgjegjësisë së komisionit. Të pranishëm në mbledhjen e sotme ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Avokati i Popullit, Komisioneri i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, Autoriteti Për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Në koordinim me relatorin e projektbuxhetit për komisionin, z. Bashkim Fino, titullarët e institucioneve të pranishme në mbledhje,i paraqitën komisionit kërkesat e tyre në lidhje me projektbuxhetin. Z. Toni Gogu, zëvendësministri i Drejtësisë; znj. Kozeta Ndoi, sekretarja e Përgjithshme e ILDKPKI-së; znj. Erinda Ballanca, Avokatja e Popullit; znj. Pranvera Strakosha, komisionerja e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil; znj. Gentiana Sula, kryetarja e Autoritet për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit; z. Çelo Hoxha, zëvendësdrejtori i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit; znj. Ardiana Hala, drejtorja e procedurave ligjore pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe z. Xhevdet Haxhiu, drejtori i Drejtorisë së Administratës dhe Financës në KLD i shprehën komisionit sugjerimet dhe kërkesat e institucioneve të tyre për t’u pasqyruar në raportin që do t'i paraqitet komisionit përgjegjës të Ekonomisë dhe Financave.