Zëvendeskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Shtetin e të Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës.

  • Postuar më, 09/11/2018


 

Në datën 29 tetor 2018, znj. Vasilika Hysi, Zëvendeskryetare e Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi një takim me z. Christos Giakoumopoulos, drejtor i Përgjithshëm për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës.

 

Znj. Hysi shprehu mirënjohjen për kontributin e Këshillit të Evropës në një sërë reformash të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë, duke nënvizuar rolin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi dhe ofrimin e opinioneve lidhur me nismat ligjore të përcjella nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, për kontributin e drejtorisë së Këshillit të Europës për Reformën Zgjedhore, hartimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve, etj.

 

Gjithashtu, znj. Hysi shprehu mirënjohjen për përmbylljen me sukses të procesit të përzgjedhjes dhe të zgjedhjes së gjyqtarit shqiptar për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj).

 

Z. Giakoumopoulos vlerësoi faktin që vazhdimisht në GjEDNj nga Shqipëria ka patur gjykatës të suksesshëm dhe kanë kontribuar në punën e Gjykatës. Ai vlerësoi punën shumë të mirë të Shqipërisë në procesin e vetingut i cili ishte një proçes jo i lehtë nga këndvështrimi social, megjithatë Shqipëria ja doli të ishte një shëmbull i shkëlqyer për të gjithë vendet anëtare.

 

Gjithashtu z. Giakoumopoulos theksoj se besimi te institucionet e çdo shteti, lidhet ngushtë me besimin në sistemin gjyqësor të tij, për këtë arsye duhet të kemi një sistem gjyqësor të një niveli shumë të lartë besimi dhe funksionaliteti. Një ndihmë që mund të japë Këshilli i Evropës në këtë drejtim është bashkëpunimi i vazhdueshëm me Shkollën e Magjistraturës me të cilët bashkëpunimi i deritanishëm është shumë i mirë.

 

Lidhur me çështjet e pronave, z. Giakoumopoulos, theksoj që jemi në rrugën e duhur, pas 10 vitesh ushtrimesh të vështira, tashmë ky proces është drejt një fundi të drejtë dhe zotohet që Këshilli i Evropës do të jetë pjesë e procesit me shumë kënaqësi edhe në të ardhmen.

 

Gjatë takimit, z. Giakoumopoulos u shpreh në lidhje me çështjen e pastimit të parave, si një proces shumë i rëndësishëm dhe që shpesh herë Këshilli i Europës është kritikuar që nuk ka kritikuar mjaftueshëm lidhur me këtë problem.

 

Nga të dyja palët u shpreh vlerësim lidhur me Delegacionin e Përhershëm të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës si dhe u dikutua për mundësinë e bashkëpunimit në forcimin e kontrollit parlamentar lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të GRECO-s dhe Moneyval-it.

 

Znj. Hysi theksoi domosdoshmërinë e një bashkëpunimi konkret në lidhje me forcimin e kontrollit parlamentar të Kuvendit në ndjekjen sistematike të përmbushjes së rekomandimeve  të mekanizmave monitorues të Këshillit të Evropës.


Në përfundim të takimit, të dyja palët shprehën mirënjohjen për bashkëpunimin shumë të mirë ndërmjet institucioneve dhe shprehen vullnetin për vijuar me sukses zbatimin e reformave të ndërrmara.