Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, për projektligjin "Për Buxhetin e vitit 2019"

  • Postuar më, 09/11/2018

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, lidhur me projektligjin "Për Buxhetin e vitit 2019". I ftuar në këtë seancë ishte ministri i Mjedisit dhe Turizmit, z. Blendi Klosi.

Në paraqitjen e tij për kërkesat e buxhetit 2019 sa i përket kësaj ministrie, z. Klosi tha se fondet buxhetore janë të ndara sipas programeve buxhetore dhe klasifikimeve ekonomike si paga, kapitale të brendshme, kapitale të huaja etj.

Ministri gjithashtu u shpreh se për vitin 2019 një nga objektivat në fokus është shtimi i numrit të turistëve dhe alokimi i fondeve për një turizëm të qëndrueshëm, nxitja e investimeve, depozitimi, menaxhimi dhe trajtimi i mbetjeve lokale, vendosja e sistemit të monitorimit të ajrit etj.

Ndër të tjera, z. Klosi cilësoi se pjesë e buxhetit të 2019 është edhe projekti i filluar “100 fshatrat”, ku qasja e integruar për zhvillimin rural do të targetojë objektiva të matshëm për zhvillimin e hapësirës rurale nëpërmjet fokusit të qendërzuar (programim i integruar dhe i koordinuar) i investimeve publike, atyre të donatorëve dhe investimeve private, në hapësirën e mirë përcaktuar të 100 fshatrave, me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-social, agroturizmit dhe turizmit rural, natyrës dhe mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore.

“Kemi arritur sot në Shqipëri qe të flasim për një turizëm të qëndrueshëm, dhe kërkoj nëpërmjet buxhetit të ri disa elemente shtesë për ta bërë këtë turizëm të qëndrueshëm jo vetëm për të rritur turizmin e ardhshëm por për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion turistik evropian.”,- theksoi ministri i Mjedisit dhe Turizmit.

Më tej, pas paraqitjes së buxhetit anëtarët e komisionit vazhduan seancën me pyetje, komente dhe sugjerime sa i përket fushës së mjedisit dhe turizmit në vend.