Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi projektbuxhetin, paketën fiskale dhe dy projektligje të tjera
- Postuar më, 23/11/2018
23 nëntor 2018
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe
Mjedisin, në drejtimin e kryetarit, z. Eduart Shalsi, miratoi gjatë mbledhjes
së sotme, në cilësinë e komisionit përgjegjës, dy projektligje: “Për aderimin e
Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të
Montrealit, “Për substancat që hollojnë shtresën e ozonit”” dhe “Për aderimin
e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e
emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar”. Gjithashtu,
komisioni shqyrtoi dhe miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për
buxhetin e shtetit 2019” dhe paketën fiskale të lidhur me të.
Për
projektligjin e parë, të pranishëm në komision ishin përfaqësues nga Ministria
e Mjedisit Turizmit, ndërsa, lidhur me aderimin në marrëveshjen e Lisbonës, të
pranishëm ishin përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë
Industriale, përkatësisht drejtori i Përgjithshëm, z. Elvin Lako. Ndërsa, për
shqyrtimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale, të pranishëm në komision
ishin z. Ilir Halilaj, zëvendësministër i Bujqësisë dhe përfaqësues nga
Ministria e Financave. Komisioni, pasi
deputetët dhanë sugjerimet përmes diskutimeve, si edhe shtruan pyetje për
çështje të caktuara, miratoi të tre
projektligjet në diskutim për mbledhjen e sotme.