Znj. Mimi Kodheli, kryetarja e komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, takim kortezie me ambasadorin e Lituanisë, z. Rolandas Kacinskas
- Postuar më, 26/11/2018
26 nëntor 2018
Kryetarja e komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli, priti sot në Selinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqiperise, ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Lituanisë në Shqipëri (rezident në Athinë), Sh. T. Dr. Rolandas Kacinskas, me kërkesë të këtij të fundit.
Znj. Kodheli i uroi ambasadorit lituanez mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira, që ekzistojnë midis dy vendeve tona.
Ambasadori lituanez u shpreh se vendi i tij vlerëson zhvillimet demokratike në Shqipëri, si edhe orientimin e saj të palëkundur e të padiskutueshëm pro-perëndimor. Shqipëria, për z. Kacinksas, me radhitjen e saj 100% me qëndrimet e BE-së në kuadrin e politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët, përbën një shembull në Ballkanin Perëndimor.
"Për ne Shqipëria është një partnere e denjë edhe në kuadrin e NATO-s. Pjesëmarrja juaj në forcat e përbashkëta të NATO-s, që ndodhen në Letoni, është një shprehje e qartë e solidaritetit dhe kontributit të Shqipërisë në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së vendeve tona balltike. Lituania është mbështetëse e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, por mendon se Shqipëria është vendi që politikisht qëndron më pranë Evropës, që luan një rol konstruktiv në rajon e më gjerë dhe që ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm", - u shpreh ambasadori.
Kryetarja e komisionit për Politikën e Jashtme shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Lituania i ka dhënë e i jep Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik, si edhe shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh e shumëpalësh midis Shqipërisë dhe Lituanisë, veçanërisht atij politik dhe në fushën e sigurisë.
Zonja Kodheli vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin midis vendit tonë dhe Lituanisë në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë dhe theksoi se vullneti i Shqipërisë për të marrë kryesinë e ardhshme të OSBE-së në vitin 2020, ka një rëndësi politike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për tërë hapësirën e organizatës, parë në kontekstin gjepolitik aktual.
Ambasadori Kacinskas u shpreh se vendi i tij ishte plotësisht i të njejtit mendim dhe e siguroi znj. Kodheli për mbështetjen lituaneze të kandidaturës së Shqipërisë për të marrë kryesinë e ardhshme të OSBE-së në vitin 2020.
Në përfundim të takimit bashkëbiseduesit shprehën angazhimin për të intensifikuar më tej bashkëpunimin parlamentar si një element mjaft i rëndësishëm në rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe midis vendeve tona.