Seanca plenare miratoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, paketën fiskale shoqëruese dhe katër projektligje të tjera

  • Postuar më, 03/12/2018

3 dhjetor 2018

Seanca e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, miratoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019” dhe paketën fiskale shoqëruese me 76 vota pro; projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar me 74 vota pro; “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar” me 74 vota pro; dhe projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të Montrealit, “Për substancat që hollojnë shtresën e ozonit”” me 75 vota pro.   

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, deputeti Bujar Çela u shpreh se ndryshimi i propozuar në seancë përbën një ndërhyrje të qeverisë për të lehtësuar aplikimet dhe procedurat e subjekteve, që duan të kenë lehtësira për ushtrimin e aktivitetit. “Unë mendoj që ky është një hap shumë i rëndësishëm, lehtësues edhe në kuadrin e të gjithë përdorimit të lëndëve djegëse, ku gazi është një ndër ato që konsiderohet me mjaft leverdi ekonomike”, - u shpreh deputeti i Partisë Socialiste. Në përfundim të diskutimeve, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, u miratua me 74 vota pro.

Për projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar”, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste diskutoi znj. Tatjana Nurçe Piro. Znj. Piro theksoi në fjalën e saj se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare do të ishte më i favorshëm për mbajtësit e të drejtave mbi emërtimet e origjinës, pasi me anë të një aplikimi të vetëm do të mund të shkurtohet kohë dhe kosto për mbrojtje në 28 shtetet anëtare (aktualisht), përfshirë edhe vendet fqinjë, si: Greqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Italia.Shqipëria është një vend që ka shumë produkte të kësaj natyre, të cilat duhen identifikuar dhe nxitur për t’u certifikuar, pasi regjistrimi kombëtar, e më tej ai ndërkombëtar, ndikojnë në rritjen e vlerës së këtyre produkteve tradicionale, në gjallërimin e zonave rurale, në ruajtjen e bio-diversitetit, të trashëgimisë kulturore dhe gastronomike dhe ofrojnë mundësinë e njohjes në tregjet e huaja të produkteve karakteristike shqiptare”, - tha deputetja e Partisë Socialiste. Në përfundim të diskutimeve, ky projektligj u miratua me 74 vota pro.

Lidhur me projektligjin e tretë të parashikuar për shqyrtim në rendin e ditës, projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të Montrealit, “Për substancat që hollojnë shtresën e ozonit””, në seancë plenare, në diskutimet në emër të grupeve u shpreh deputeti i Partisë Socialiste z. Besnik Baraj. Z. Baraj sqaroi se sipas gjetjeve të fundit shkencore, një nga shkaktarët e hollimit të shtresës së ozonit rezultonte edhe çlirimi në atmosferë i gazit frigoriferik. Këtë të dhënë të re, z. Baraj e konsideroi si mësim të mirë të politikës nga bashkëpunimi i frytshëm me njerëzit e shkencës. Z. Baraj, duke kërkuar që përmes marrëveshjes së Kigalit, të kryhej zëvendësimi me gaze pa efekt serrë në përdorimin frigoriferik, kërkoi gjithashtu edhe që, krahas adoptimit ligjor, të ketë edhe adoptim të përvojave në terren në drejtim të shkatërrimit të këtyre lëndëve. Ky projektligj, në fund të diskutimeve u miratua me 75 vota pro.

Lidhur me projektligjin e katërt të parashikuar për shqyrtim në rendin e seancës së sotme plenare,  “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë -Republika e Shqipërisë, 2014-2020, alokimet e vitit 2017”, diskutoi në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste deputeti Roland Xhelili. Z. Xhelili u shpreh se programi i bashkëpunimit Maqedoni-Shqipëri ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta. Ky program, sipas z. Xhelili, do të mbështesë gjithashtu shkëmbimin e eksperiencës dhe njohurive midis përfituesve, si dhe përmirësimin e politikave publike mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale në zonën e programit. “Duke marrë parasysh aspektet problematike që ndikojnë në ekonominë e zonës dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm, programi do të fokusohet në prioritetet e mëposhtme tematike: 1. Nxitja e turizmit, kulturës dhe trashëgimisë natyrore; 2. Rritja e konkurrencës, biznesit, tregtisë dhe investimeve; 3. Mbrojtja e mjedisit, nxitja e përshtatjes dhe lehtësimit ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut”, - tha deputeti i Partisë Socialiste. Në përfundim të diskutimeve projektligji u miratua me 75 vota pro.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2019” dhe paketën fiskale shoqëruese të tij, përkatësisht projektligjet: “Për një ndryshim në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar; “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar; “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar; “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar; “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Buxheti i vitit 2019 dhe paketa shoqëruese fiskale, të miratuara më parë në parim, u shqyrtuan në seancën e sotme nen për nen dhe në tërësi. Buxheti i vitit 2019 u miratua me 76 vota pro.

Projektvendimi “Për emërimin e një anëtari të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”, me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u vendos të shtyhej për në seancën pasardhëse. Seanca mbylli punimet në orën 14:20.