Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti një delegacion parlamentar dhe qeveritar të Maltës

  • Postuar më, 04/12/2018

4 dhjetor 2018

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi zhvilloi sot një takim një delegacion parlamentar dhe qeveritar të Maltës, të kryesuar nga Dr. Deo Debattista, Sekretar Parlamentar i Maltës dhe Përgjegjes për Autoritetin e Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Autoritetin Mjekësor të Maltës, Bordin Kombëtar të Akreditimit, Mbrojtjen e të Dhënave Personale si edhe deputetë dhe drejtues e përfaqësues të insitucioneve dhe agjencive    të tjera qeveritare.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin e Shqipërisë dhe dialogun politik me Maltën të shkëlqyer, të shprehur edhe në vizitat e nivelit më të lartë të kohëve të fundit.Malta përbën një udhëhartë drejt zhvillimit, integrimit, paqes e stabilitetit. Traktati i Miqësisë ndërmjet Maltës dhe Shqipërisë, i cili pritet të nënshkruhet së shpejti,  do të jetë një konfirmim i këtyre marrëdhënieve të shkëlqyera, si dhe një shprehje e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për të promovuar dhe për t’i intensifikuar ato në të ardhmen.” nënvizoi Kryetari i Kuvendit. Z. Ruçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e përhershme miqësore të Maltës në agjendën e integrimit Evropian të Shqipërisë dhe besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik, si një shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe, duhet të përfshihet në prioritetet e bashkëpunimit të ardhshëm bilateral, për zbatimin me efikasitet të marrëveshjeve dypalëshe. “Bashkëpunimi ynë me Maltën mund të fuqizohet dhe në fushat e forcimit të konkurrencës  në treg, si parakusht për zhvillimin, shërbime publike eficente dhe të përballueshme nga qytetarët. “ vuri në dukje z. Ruçi.

Dr. Deo Debattista, Sekretar Parlamentar i Maltës, falenderoi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen e bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërinstitucional me Maltën si edhe shprehu  interesimin për rritjen  e nivelit të kontakteve institucionale, në vazhdim të bashkëpunimit me Autoritetin e Konkurrencës së Shqipërisë. Malta, si një vend në kryqëzim të kulturave e qytetërimeve, e sheh me mjaft dashamirësi dhe e mbështet progresin e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Znj. Juliana Latifi, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, e pranishme në këtë takim, falendëroi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen ndaj institucioneve të pavarura, sidomos mbështetjen dhe inkurajimin e veçantë për Autoritetin e Konkurrencës dhe nënvizoi se marrëveshja e nënshkruar ditën e djeshme me palën malteze do t’i hapë rrugë zgjerimit të bashkëpunimit midis institucioneve dhe agjencive të të dy vendeve.