Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilluan një mbledhje të përbashkët për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

  • Postuar më, 07/12/2018

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilluan një mbledhje të përbashkët, sipas kalendarit të miratuar, për të vijuar me procedurën e shqyrtimit të projektligjit, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar , diskutimin në parim, nen për nen dhe miratimin e raportit për seancë plenare. 

Relatori,  z.Oerd Bylylbashi dhe znj.Vasilika Hysi  paraqitën mbledhjes së përbashkët draft raportin me mendimin e opozitës dhe të shumicës parlamentare për nism[n.

Në fjalën e tij, deputeti i Partisë Demokratike, z.Oerd Bylykbashi u shpreh : “Mund të bëjmë përmirësime ligjore nëse nisma shqyrtohet nen për nen, të miratojmë ndryshimet kushtetuese, e më pas të bëjmë ligjin e posaçëm për Veting-un në politikë.”  

Ndërsa, Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi theksoi se Komisioni i Venecias ka gjetur probleme në draftin e propozuar nga opozita. “Komisioni i Venecias na ka dhënë leksion, se Veting-u i gjyqtarëve nuk është i njëjtë me atë në politikë. Të mos e miratojmë nismën e PD dhe LSI në seancën plenare” - u shpreh znj. Hysi, kurse deputeti i PD-së, z.Bylykbashi u shpreh se Komisioni i Venecias ka bërë me dije se qëllimi i draftit ishte legjitim, ndërsa gjithë të tjerat janë teknikalitete. 

Anëtarët e mbledhjes së përbashkët zhvilluan diskutime të shumta në parim për nismën.

Pas diskutimeve të anëtarëve të mbledhjes së përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin, me 8 vota “pro” dhe 12 vota “kundër” u rrëzua në parim projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti i shumicës parlamentare dhe mendimi i pakicës parlamentare për këtë projektligj do të publikohen në faqen zyrtare të Kuvendit dhe do t’i paraqiten për shqyrtim seancës plenare.


Raporti i shumicës parlamentare në lidhje me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””.

Mendimi i pakicës parlamentare në lidhje me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””.