Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ruçi, vizitë zyrtare në Maqedoni me ftesë të homologut z. Xhaferi

  • Postuar më, 10/12/2018


Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, gjatë datave 9-11 dhjetor, po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoni, me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi. Në delegacion bëjnë pjesë edhe z. Fatos Reka ambasador i Shqipërisë në Maqedoni; deputeti Ilir Xhakolli, Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë, Shqipëri-Maqedoni; Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Genci Gjonçaj, Këshilltari i Kryetarit të Kuvendit, z. Kosta Barjaba; dhe znj. Irma Pashkja, Drejtore e Përgjithshme e Marrëdhënieve me Jashtë.
Në datën 10 dhjetor, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilloi një takim shumë të ngrohtë, miqësor dhe të frytshëm me homologun Talat Xhaferi.
Gjatë takimit u diskutua për shtimin dhe zgjerimin e shkëmbimeve ndërparlamentare, si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin cilësor të marrëdhënieve midis të dy vëndeve, për shkëmbimin e përvojave parlamentare, bashkëpunimin e koordinimin parlamentar në aktivitete rajonale e ndërkombëtare.
Zoti Xhaferi informoi z. Ruçi për prioritetet e Parlamentit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë: “Shumica e re parlamentare dhe qeveria e re kanë si prioritete integrimin euroatlantik dhe përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinjë. Sot përfundon edhe faza e konsultimit publik, e cila i hap rrugën votimit në parlament të ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.” Ai e informoi Kryetarin e Kuvendit edhe për aktivitetet më të fundit në parlamentin maqedonas dhe për rolin që ai është duke luajtur në përmbyllje të reformave shumë jetike për demokratizimin e funksionalizimin e shoqërisë multietnike në Maqedoni, përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit dhe ndryshimeve kushtetuese të parapara për përdorimin e gjuhëve e të emrit të vëndit, që do votohen së shpejti.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi, vlerësoi reformat substanciale që parlamenti, qeveria dhe partitë politike kanë ndërmarrë. “Këto reforma po sjellin ndryshime dinamike në procesin e demokratizimit të Maqedonisë, të shtetndërtimit, të garancive për funksionalitetin e një shoqërie të vërtetë multietnike, mbi bazën e respektit e të barazisë të dy komuniteteve kryesore etnike të vëndit, maqedonasve e shqiptarëve.” vuri në dukje Kryetari i Kuvendit Ruçi.
Z. Ruçi dhe z. Xhaferi vlerësuan rolin konstruktiv dhe shumë aktiv të aktorëve politikë shqiptarë në këtë proces, si dhe besnikërinë e popullsisë shqiptare në interes të Maqedonisë.


Kryeparlamentarët Ruçi dhe Xhaferi përshëndetën arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe përpjekjet e parlamentit dhe qeverisë maqedonase për të përmbyllur çështjen e ndërrimit kushtetues të emrit të Maqedonisë dhe që do të hap rrugën e anëtarësimit të shpejtë të saj në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor 2019.
Kryetari i Kuvendit Ruçi i shprehu kolegut Xhaferi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.


Të dy palët shprehën angazhimin e tyre për koordinimin e bashkëpunimin në veprimtaritë ndërparlamentare evropiane, në funksion të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian në qershor 2019 për Maqedoninë e Shqipërinë.
Kryeparlamentarët nënvizuan se Shqipëria dhe Maqedonia po japin një kontribut të vazhdueshëm stabilizues në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ata vlerësuan përpjekjet që po bëhen që të forcohet stabiliteti dhe siguria në rajon dhe nënvizuan se rruga e vetme është dialogu për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të tensioneve ndëretnike që shpesh nxiten artificialisht e me prapavijë politike.

Të dy kryeparlamentarët dhe bënë thirrje që të vazhdoj dialogu politik midis Serbisë dhe Kosovës, ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare e me garanci zbatimi midis të dy vëndeve.
Z. Ruçi dhe z.Xhaferi vlerësuan angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë, Bashkimit Evropian, SHBA, NATO, për ruajtjen e paqes e të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe theksuan nevojën e një investimi e pranie më të madhe të tyre për të frenuar ndërhyrjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë me peshë që kanë hyrë në rajon dhe që përpiqen të shfrytëzojnë hapësirat e krijuara.


Të dy palët çmuan Proçesin e Berlinit, iniciativën e zonjës Merkel, që në këto katër vitet e fundit e ka bërë Bashkimin Evropian më të pranishëm naë rajonin ton me projekte konkrete.
Kryeparlamentarët ranë dakort që të nxisim të dy qeveritë që në takimin e tyre të ardhshëm ta çojnë më tej agjendën e Pogradecit dhe t’u kushtojnë më tepër vëmëndje zbatimit të projekteve infrastrukturore të dakortësuara si dhe të atyre të energjisë e mobilitetit.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, ftoi Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqesi.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, u prit edhe nga Presidenti i Maqedonisë, z. Gjorge Ivanov.


Kryetari i Kuvendit Ruçi vuri në dukje se Shqipëria Shqipëria mbështet fuqimisht integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë dhe vlerëson hapat konkretë për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët dhe përpjekjet për te investuar në një vizion pozitiv për rajonin., si një rajon i ankoruar në strukturat Euro-Atlantike. Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se “Shqipëria luan një rol të vazhdueshëm parimor, dinamik dhe stabilizues në Rajonin e Ballkanit Perendimor, i cili po përjeton zhvillime të rëndësishme në aspektin e integrimit euro-atlantik, por ndeshet edhe me rezistencë ndaj prirjes së europianizimit të rajonit.” Ai vuri në dukje edhe nevojën e mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe intensifikimit të shkëmbimeve tregtare, turistike, kulturore etj. midis të dy vendeve. Ligji i ri për pakicat dhe reforma administrativo-territoriale dëshmuan edhe njëherë vendosmërine e Shqipërisë për të respektuar të drejtat e pakicës maqedonase, e cila, sic nënvizoi z.Ruçi, “është në Shqipëri në shtëpinë e saj”.


Presidenti Ivanov falenderoi Kryetarin Ruçi për mbështetjen që Kuvendi i Shqipërisë i jep bashkëpunimit me Maqedoninë. “Jam i lumtur të pres Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë në celebrimin e 25 vjetorit të marrëdhënieve mnidis të dy vendeve. sepse parlamentet jani nxitës të fuqishëm të këtyre marrëdhënieve. Unë kam pasur dhe kam marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë presidentët e Shqipërisë dhe këtë inkurajoj edhe për institucionet e tjera të të dy vendeve. Ne duhet të bashkëpunojmë më shumë dhe të jemi më të hapur me njeri-tjetrin. Tregjet çlirojnë mendjet tona dhe mendjet hapin tregjet.”, nënvizoi Presidenti Ivanov, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregëtar midis të dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, u prit gjithashtu nga Kryeministri i Maqedonisë, z. Zoran Zaev.
Kryetari i Kuvendit Ruçi vlerësoi programin dhe përpjekjet inkurajuese të qeverisë së Maqedonisë dhe personalisht të Kryeministrit Zaev, në mbështetje të sundimit të ligjit, përmbushjes së reformave të thema strukturore dhe rimarrjes së kursit Euro- Atlantik të vendit.


Ai vlerësoi planin e ri te qeverise Zaev, i njohur si Plani 18 dhe shprehu besimin në çuarjen para të reformave në të gjithë sektorët, me prioritet gjyqësorin, shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës, administratën publike e qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

“Shqipëria vlerëson hapat konkretë të ndërmarra nga Kryeministri Zaev për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët dhe përpjekjet e tij për të investuar në një vizion pozitiv për rajonin. Firmosja e Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës për zgjidhjen e çështjes së emrit janë hapa shumë inkurajues për bashkëpunimin rajonal. Besojmë se me miratimin përfundimtar të Ligjit për Gjuhët klima ndëretnike në vend është përmirësuar, megjithëse koncepti i barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dy komunitete kryesore të ndërtimit të shtetit duhet të sanksionohet në Kushtetutë dhe të zbatohet. Jemi duke ndjekur ecurinë e Ligjit të Gjuhëve dhe hyrjen në fuqi.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.



Kryetari i Kuvendit nënvizoi se pavarësisht se lidhjet tregtare janë zgjeruar dhe vëllimi i tregtisë është rritur, të dy vendet tona janë ende larg shfrytëzimit të potencialeve të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, turistike, kulturore midis tyre.
Shqipëria luan një rol të vazhdueshëm parimor, dinamik dhe stabilizues në Rajonin e Ballkanit Perendimor.

Rajoni po përjeton zhvillime të rëndësishme në aspektin e integrimit euro-atlantik, ndërkohë që përballet gjithashtu me rezistencën ndaj reformave të shtet-konsolidimit, veçanërisht ndërhyrjen e aktorëve të tretë që synojnë të shpërqendrojnë prirjen e evropianizimit të rajonit në këmbim të ndikimit dhe hegjemonisë së tyre.
“Midis Maqedonisë the Shqipërisë po zhvillohet një bashkëpunim i ngushtë, miqësor, i sinqertë dhe produktiv. Ne i jemi mirsënjohës Shqipërisë sepse është një mike e madhe e Maqedonisë si edhe për mbështetjen ndaj pakicës maqedonase në Shqipëri dhe nga ana jonë po bëjmë më të mirën për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Ju falenderoj që parlamentet e të dy vendeve mbështesin fuqimisht bashkëpunimin e të dy qeverive.”, vuri në duken Kryeministri Zaev.


Gjatë takimit me krerët më të lartë të shtetit të Maqedonisë, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një vend fqinj, mik, partner dhe mbështetëse e zhvillimit, demokratizimit dhe integrimeve auroatlantike të Maqedonisë. Shqipëria vlerëson, nxit e mbështet rolin konstruktiv dhe shumë aktiv të aktorëve politikë shqiptarë në këtë proces, si dhe besnikërinë e popullsisë shqiptare në interes të së ardhmes, zhvillimit, prosperitetit, demokratizimit dhe integrimit të Maqedonisë. i Berlinit është një mundësi e mirë për të shtuar bashkëpunimin rajonal dhe për të shpejtuar perspektivën tonë të përbashkët rajonale.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilloi një takim edhe Grupin parlamentar të Kuvendit te Maqedonisë për bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë.“Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin parlamentar me Maqedoninë, si një vend fqinj, mik, me histori e mjaft vlera të përbashkëta. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për diplomaci parlamentare, por për naë bashkëpunim të ngushtë midis parlamenteve dhe deputetëve, të cilët duhet tu përgjigjen, por edhe të konsolidojnë ndjenjat reciproke të miqësisë midis dy popujve e qytetarëve tanë. Të dy grupet e miqësisë duhet të bëhen më shumë katalizatorë dhe urandërtues të këtij bashkëpunimi.”, vuri në dukje Kryetari Ruçi.


Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, dhe delegacioni që e shoqëron vizituan Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës. Z. Ruçi vlerësoi lart figurën e Nënë Terezës, si një ndër simbolet më të fuqishme dhe përbashkuese të kombit shqiptar dhe nënvizoi se fryma e ligjeve që miratojnë parlamentet tona duhet të përshkohet me shumë nga mesazhet e veprimtarisë, të jetës dhe kontributit të Nobelistes shqiptare, Shën Nënë Tereza.


Kryetari i Kuvendit vendosi një kurorë në monumentin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Shkup. Duke vlerësuar laert figurën e heroit tonë kombëtar, z. ç nënvizoi se viti mbarëkombëtar i Skënderbneut ishte një momentum për të reflektuar, punuar e kontribuar më shumë për zhvillimin, unitetin, progresin, qytetërimin dhe europianizimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kudo ku jetojnë,
Nesër, në datën 11 dhjetor, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, do të takohet edhe me Z. Hristijan Mickoski, Kryetar i Partisë VMRO-DPMNE.