Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ruçi takoi drejtues të partive shqiptare parlamentare në Maqedoni

  • Postuar më, 10/12/2018

Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, në datën 10 dhjetor, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, zhvilloi takime të veçanta me drejtues të partive shqiptare parlamentare në Maqedoni: me z. Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së; z. Bilal Kasami, kryetar i Partisë BESA; z. Zijadin Sela, kryetar i Koalicionit "Aleanca për Shqiptarët"; z. Menduh Thaçi, kryetar i partisë PDSH; z. Afrim Gashi koordinator i partisë BESA.


Gjatë takimeve, Kryetari i Kuvendit përgëzoi drejtuesit e partive politike shqiptare dhe nëpërmjet tyre të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, për rolin konstruktiv në jetën politike e shoqërore të Maqedonisë, sidomos për mbështetjen e tyre gjatë zhvillimeve të fundit, të cilat janë thelbësore për të ardhmen dhe integrimin euroatlantik të shtetit maqedonas.
“Partitë shqiptare janë vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë. Atyre u takon të vazhdojnë të luajnë rolin që u takon në përfaqësimin e shqiptarëve, si popullsi shtetformuese në këtë vend. Shqipëria do të vazhdojë të jetë në mbështetje të palëkundur të fqinjit tonë dhe rrugëtimit të tij euro-atlantik, përfshirë avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, në përputhje me angazhimet evropiane dhe normat ndërkombëtare. Pjesëmarrja juaj e gjerë në ekzekutiv dhe legjislativ, përpos moment historik dhe emancipues, duhet vështruar si katalizator për avancimin thelbësor të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit Ruçi.
Z.Ruçi u bëri thirrje partive politike të shqiptarëve në Maqedoni që të angazhohen dhe kontribojnë më shumë për zbatimin e Deklaratës së Partive Parlamentare Shqiptare. Ai kërkoi më shumë vullnet politik për funksionimin e mekanizmit monitorues dhe bashkëpunimit të përfaqësuesve politikë shqiptarë në Maqedoni.