Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 11/12/2018

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi tre projektligje 

I pranishëm në komision për të prezantuar projektligjin "Për një ndryshim në ligjin nr.7764, datë 2.11.1993, “Për investimet e huaja”, të ndryshuar” ishte Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z. Elton Haxhi. Ky projektligj, tha ai,  parashikon ndryshimin e pikës 1, të nenin 11/1 të ligjit, duke e shtyrë afatin e efektshmërisë së mbrojtjes së posaçme shtetërore nga 31 dhjetori 2018 në 31 dhjetor 2019. 

Relatorja e këtij projektligji, znj. Evis Kushi  u shpreh se  zgjatja e afatit është parashikuar vetëm për një vit, sepse në të njëjtën kohë po punohet nga institucionet përgjegjëse për hartimin e një ligji të unifikuar dhe gjithëpërfshirës të investimeve të huaja dhe strategjike, në përputhje me rekomandimet e BERZH-it. 

Në këtë drejtim, theksoi znj. Kushi vendi ynë ka adoptuar një legjislacion liberal sa i takon investimeve të huaja në vend, i mbështetur në parimin e mosdiskriminimit ndërmjet investitorëve vendas dhe të huaj.

“Projektligji nuk sjell efekte financiare për buxhetin e shtetit dhe duke pasur parasysh edhe domosdoshmërinë që ligji të miratohet brenda muajit dhjetor të këtij viti propozoj ndryshimin e nenit 2, të projektligjit për hyrjen në fuqi menjëherë të tij”, nënvizoi deputetja Kushi. 

Për sa i përket  projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, z. Haxhi tha se kjo është  nismë ligjore e ndërmarrë nga Këshilli Ministrave kryeministria, duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e qeverisë për të luftuar kriminalitetin në vend, duke shmangur në çdo rast dhe me çdo mjet dhënien e mbështetjes dhe krijimin e lehtësirave për subjekte përfituese të dënuar penalisht, kur ka të dhëna dhe provohet se subjekti përfitues i ndihmës apo mbështetjes ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe ky rregullim i posaçëm do ta bëjë më konkret luftën kundër krimit në Shqipëri 

Znj. Blerina Gjylameti, relatorja e projektligjit, tha se  dy projektligje së bashku me ndryshimet e propozuara në ligjin për prokurimin publik dhe ligjin për turizmin, janë pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore që kanë si qëllim ndalimin e përfitimit të të mirave publike nga subjektet e dënuara për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me krimin e organizuar. 

Sipas saj, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve, do u ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori subjektesh, shoqërish tregtare dhe përfaqësues të tyre të përfitojnë para nga taksapaguesit shqiptarë.

“Ndryshimet e propozuara janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Europian, për këtë arsye i propozoj anëtarëve të Komisionit miratimin e këtyre dy projektligjeve, me dy ndryshime në dispozitat përbërëse të tyre që lidhen me teknikën legjislative si më poshtë: “Për investimet strategjike”, të ndryshuar” shkronja b) duhet të renditet para shkronjës a)”, sqaroi Gjylameti. Po sot, komisioni shqyrtoi dhe projektligjin  “Për një shtesë në ligjin nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar".Në përfundim të mbledhjes, komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi të tre projektligjet në cilësinë e komisionit përgjegjës dhe i miratoi ato nen për nen dhe në tërësi duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare.