Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë,z. Gramoz Ruçi, u takua me Z. Hristijan Mickoski, Kryetar i Partisë VMRO-DPMNE

  • Postuar më, 11/12/2018

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë,z. Gramoz Ruçi, u takua me Z. Hristijan Mickoski, Kryetar i Partisë VMRO-DPMNE

 Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, në datën 11dhjetor, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, u takua me Z. Hristijan Mickoski, Kryetar i Partisë VMRO-DPMNE.

“Shqipëria dhe Maqedonia janë dy vende fqinj e mike, me histori e mjaft vlera të përbashkëta. Ne mendojmë se Maqedonia ka nevojë për insitucione të forta e të qëndrueshme, qeveri të fortë, por edhe një opozitë të fuqishme, që  monitoron Qeverinë dhe shpreh e mbron aspiratat e votuesve të saj si edhe të gjithë qytetarëve. Opozita është për vendin dhe qytetarët, po aq e rëndësishme sa edhe shumica qeverisëse.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ai vuri në dukje dhe vlerësoi e përshëndeti rolin konstruktiv dhe shumë aktiv të faktorit politik shqiptar në politikë, si dhe besnikërinë e vazhdueshme të popullsisë shqiptare kundrejt interesave të vendit    dhe të ardhmes sëMaqedonisë.

Z. Ruçi nënvizoi se të gjitha partitë politike duhet të nxisin mirëkuptimin dhe tolerancën midis maqedonasve e shqiptarëve, si dy komunitetet kryesore shtetformuese nëMaqedoni dhe se paqja e brendshme është kusht për stabilitetin rajonal dhe rolin moderues tëMaqedonisë në rajon.

Z. Hristijan Mickoski falenderoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për takimin dhe vlerësimin e opozitës si kontribuese e zhvillimit të vendit. Aksesi, përfshirja dhe kontributi në zhvillimin e vendit nuk duhet të kushtëzohen nga përkatësia etnike dhe as politike. Ai vuri në dukje se opozita mbështet bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë si edhe procesin e integrimit europian të Maqedonisë, Shqipërisë dhe vendeve të rajonit. Ai shprehu bindjen se të dyja vendet do të arrijnë të çelin negociatat në qershor 2019.

Z.Mickoski vuri gjithashtu në dukje rëndësinë e politikave të brendshme të mbështetura në vlerat më të mira të popujve e  qytetarëve.