Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi nismën ligjore të deputetes Klotilda Bushka

  • Postuar më, 11/12/2018

11 dhjetor 2018

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2018 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar. Të pranishëm në komision për projektligjin, nismë e deputetes Klotilda Bushka, ishin të pranishëm në komision përfaqësues nga ILDKPKI dhe nga EURALIUS.

Deputetja nismëtare e projektligjit, znj. Klotilda Bushka, u shpreh se nisma e saj vinte në kuadër të rritjes së eficiencës së punës së institucionit të ILDKPKI-së, në kuadër të hetimeve administrative, sa i takon pasurisë dhe interesave personale të të gjithë zyrtarëve. Sipas znj. Bushka ishte shumë e nevojshme, që edhe mjetet e punës së ILDKPKI-së, duke iu përshtatur standardeve më të mira që aplikohen sot në botë, të përmirësohen.

“Deklarimi elektronik është më se i nevojshëm jo vetëm për rritjen e performancës në drejtim të cilësisë dhe sqarimit të të dhënave që deklarohen, por edhe në drejtim të transparencës dhe të bërjes publike të këtyre të dhënave të aksesueshme nga grupet e interesuara”,- u shpreh deputetja Klotilda Bushka.

Relatorja e projektligjit, znj. Vasilika Hysi, theksoi se projektligji ka pësuar ndryshime edhe ne kuadër te reformës ne drejtësi, me qellim përmbushjen e disa detyrimeve qe janë ndërmarrë në drejtim të strategjive, planeve të veprimit, rritjen e transparencës së institucioneve dhe forcimin e ILDKPI-së.  

Përfaqësuesit e ILDKPI-së dhanë pëlqimin e tyre mbi nismën. Deputetët e pranishëm në komision shtruan diskutimet dhe pyetjet e tyre lidhur me çështje të caktuara. Në përfundim të diskutimeve deputetët e komisionit e miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.