Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zhvilloi një vizitë pune në ambientet e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

  • Postuar më, 12/12/2018

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zhvilloi një vizitë pune në ambientet e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

Në takim morën pjesë deputetët e mazhorancës në komision, si dhe përfaqësuesit e AMA-s, kryetari, z.Gentian Sala, dhe nënkryetari, z.Sami Neza, të asistuar nga administrata e AMA-s.

Kryetari, z. Sala, paraqiti një ekspoze të punës së deritanishme të AMA-s, problematikat dhe sfidat institucionale.

Sipas tij, sot Bordi i AMA-s funksionin shumë mirë, është një nga bordet që ka më shumë diskutime dhe debat në çdo mbledhje. Administrata e AMA-s është e konsoliduar dhe e trajnuar shumë mirë. Është zgjidhur procesi i digjitalizimit, si dhe ngërçi me operatorët, duke zgjidhur edhe problemin e tarifave. Teknologjitë e reja kanë avancuar, ndërkohë që tregu i operatorëve është forcuar dhe kushdo operator është i lirë të hyjë në këtë treg.

Më tej, u vijua me diskutime dhe pyetje nga deputetët për çështjen e dekoderave dhe fushatën e sensibilizimit të kryer nga AMA lidhur me afatin e mbylljes së transmetimeve analoge në segmentin Tiranë -Durrës më datë 15 janar 2019.

Kryetari Sala sqaroi se më datë 10 shtator 2018, kur u krye procesi i parë për mbylljen e transmetimeve analoge në  qarqet Tiranë dhe Durrës, pati një situatë të papërgatitur për popullatën, e cila nuk kishte marrë masa për t’u pajisur me dekoderat DVT-B2. Pas vendimit për rindezjen e transmetimeve analoge edhe për një periudhë 4 - mujore, vërtet vijojnë transmetimet në dy teknologjitë, atë digjitale dhe analoge, por që prej kësaj date, për herë të parë në historinë e tregut të medias, nuk ka më asnjë operator të paligjshëm dhe asnjë frekuencë të paligjshme .

Tashmë AMA prej mëse një viti ka fokusuar punën e saj në programacion.

Zv.Kryetarja e Komisionit, Znj.Milva Ekonomi, kërkoi informacion lidhur me zbatimin e rekomandimeve të fundit të raportit të Komisionit Europian për politikën audivizuale dhe Autoritetin e Medias, çështjet e transparencës së pronësisë në media, punën e ndershme të gazetarëve, rekomandimet e KLSH-së, si dhe përmbushjen e kërkesavë të Rezolutës së Kuvendit etj.

Deputetë të tjerë u fokusuan edhe në çështjet e draft-nismës së fundit ligjore të qeverisë për disiplinimin e informacionit dhe lajmit, dhe rregullimin e medias online. “Pas 5 vitesh zbatimi të ligjit organik të medias nr. 97/2013, a është e nevojshme një analizë për efektet e zbatimit të tij, a ka konkluduar AMA në nevoja për amendime ligjore dhe ku konsistojnë ato?”- pyeti më tej deputeti, z. Fidel Ylli.

Në fjalën e tyre, Kryetari dhe zv.Kryetari i AMA-s, u shprehën se ka komente pozitive nga ndërkombëtarët për Autoritetin dhe pavarësinë e tij. Ndërkohë, “për shkak edhe të shfuqizimit të pikës 3, të nenit 62, të ligjit të medias nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, vendim i cili ka prishur balancat, është i nevojshëm një rregullim në ligj, që të konsistojë në transparencën e pronësisë së pronarëve të medias”, shtoi zv.Kryetari i AMA-s , z.Sami Nezaj.

Mbledhja përfundoi me një vizitë në ambientet e institucionit, ku u shpjegua puna e departamenteve të caktuara.

“Një bashkëpunim më i ngushtë dhe një komunikim më i afërt midis Autoritetit dhe Komisionit, duhet thelluar më tej”,  përfundoi zv.Kryetarja e Komisionit , znj.Milva Ekonomi.