Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, grupi i deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, me mbështetjen e UNICEF-it organizuan sot një seancë dëgjimore me ministrinë e Drejtësisë

  • Postuar më, 12/12/2018

12 dhjetor 2018

 

Në kuadër të shqyrtimit të progresit të zbatimit si dhe sfidave që mbeten në lidhje me kuadrin normativ të drejtësisë për të mitur dhe ndihmën juridike të garantuar nga shteti, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, së bashku me Nënkomisionin për të Drejtat e Njeriut dhe grupin e deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, me mbështetjen e UNICEF, zhvilluan ditën e sotme një dëgjesë me ministren e Drejtësisë lidhur me masat e marra në zbatim të ligjit nr. 37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur” si dhe ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”.

 

Të pranishëm në dëgjesën me ministren Etilda Gjonaj ishin edhe z. Stephen Stork, përfaqësues i delegacionit të BE-së për Shqipërinë; z. Jawad Aslam, zëvendëspërfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri. Gjithashtu, të pranishëm në tyrezë ishin edhe përfaqësues nga Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve,  EURALIUS, ambasada suedeze, franceze, hollandeze dhe italiane, nga organizatat ndërkombëtare “Save The Children” dhe “Terres des hommes”.

 

Në hapje të dëgjesës, kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z. Ulsi Manja, u shpreh se seanca zhvillohej në kuadër të ushtrimit të funksionit të kontrollit parlamentar. “Kuvendi i Shqipërisë i konsideron fëmijët si kategori e posaçme që meriton mbrojtje të posaçme dhe vëmendjen tonë më të mirë. Për këtë arsye të drejtat e fëmijëve kanë zënë vend të posaçëm në punën tonë të vazhdueshme në plotësimin e kuadrit tonë kombëtar”, - u shpreh z. Manja. Në fjalën e tij, kryetari Manja u ndal te domethënia e miratimit të Kodit të Drejtësisë së të Miturve në drejtim të respektimit të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.  Sipas tij, duhej adresuar sa më parë përdorimi i gjerë i masave të dënimit alternativ, dhënia e drejtësisë për të mitur sa më pranë vendbanimit të të miturve; duhej të adresohej zgjidhja e problemit, lidhur me sigurimin e të dhënave të koordinuara nga institucioni; duhej të adresohej si duhet rritja e kapaciteteve njerëzore e personelit, që shërben në sistemin e drejtësisë, të burgjeve apo të riedukimit, mbi të drejtat dhe garancitë e drejtësisë penale për të mitur. Lidhur me këtë, në emër të komisionit, z. Manja kërkoi në fjalën e tij që interesi kryesor të tregohej në drejtim të diskutimit të masave kyçe të zbatimit në nivel qendror dhe vendor në 1 deri ne 2 vitet e ardhshme në lidhje me këto problematika; nevojën e harmonizimit me legjislacionin shqiptar të normave dhe garancive të Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur; mbështetjen e mëtejshme të zbatimit të ligjit; legjislacionin e qartë; harmonizim efikas ndërmjet institucioneve përgjegjës dhe trajtimin e personelit përgjegjës.

 

Tryezën dëgjimore e përshëndetën edhe zëvendësambasadori i UNICEF-it në Shqipëri, z. Jawad Aslam dhe përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Stork, duke e konsideruar të rëndësishme praktikën e llogaridhënieve të tilla dhe fokusimin në çështjet e interesave të fëmijëve.

 

Ministrja e Drejtësisë, znj. Gjonaj, shprehu mirënjohjen për kontributin e pjesëmarrësve në përmirësimin e drejtësisë së të miturve, për të siguruar, sipas saj, drejtësinë miqësore. “Promovimi, mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të fëmijëve në tërësi dhe i fëmijëve në kontakt me ligjin në veçanti është vizioni dhe kryefjala e politikave strategjike të ndërmarra nga institucione të nivelit ekzekutiv dhe legjislativ dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi zbatimi i reformimit të drejtësisë për të miturit në konflikt me ligjin, do te ketë mundësi të forcojë aksesin, procesin e rregullt ligjor, parandalimin, shoqërizimin, riintegrimin dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve dhe aktorëve përgjegjës duke përbërë kështu një nga shtyllat kryesore të drejtësisë për të miturit”, - u shpreh znj. Gjonaj. Ministrja e Drejtësisë në fjalën e saj bëri një pasqyrim të plotë të gjendjes së drejtësisë së të miturve në vend.

 

Tryeza vijoi me pyetjet dhe diskutimet e të pranishme lidhur me çështjet në fjalë.