Seancë dëgjimore me institucionet shtetërore dhe me grupet e interesit në lidhje me zbatimin e legjislacionit për sa i përket abortit selektiv me bazë gjinore.

  • Postuar më, 12/12/2018

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë së bashku me Nënkomisionin për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas dhe Nënkomisionin për të Drejtat e Njeriut zhvilluan  një seancë dëgjimore me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe me grupet e interesit në lidhje me zbatimin e legjislacionit për sa i përket abortit selektiv me bazë gjinore.

Pjesë e këtij paneli ishin Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi, Zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë znj. Mira Rakacolli, Instituti i Shëndeti Publik, Spitali Universitar Obstetrikë Gjinekologjik  “ Koço Glozheni”, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ambasada e Mbretërisë së Holandës, UNFPA, Komiteti i Helsinkit, Shoqata” Together for Life”.

Fillimisht, kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë znj. Elisa Spiropali  tha se kjo është një temë shumë e ndjeshme, për të gjithë ne dhe është detyra  jona që të monitorojmë zbatimin e  ligjeve të rëndësishme.

“Në kemi  të gjithë gatishmërinë për të parë shifrat, por mbi të gjitha edhe shkaqet që nuk janë vetëm ligjore, por shpesh janë shoqërore. Patriarkalizmi  në shoqëri dhe fakti qe burrat dominojnë një pjesë të madhe të jetës polikë-ekonomike-shoqërore të vendit ndikon diskriminim gjinor”, theksoi Spiropali.

 Përfaqësuesit e  Shoqatës ” Together for Life”,  hartuesit e  Përmbledhje e studimit” Aborti me bazë gjinore në Shqipëri”, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze, bën një prezantim të detajuar mbi abortin selektiv, i cili është shkruar bazuar mbi të dhëna  cilësore dhe sasiore  

 Ndër te tjera, ata theksuan se rekomandohet që në ligjin 8045 të bëhet i detyrueshëm  raportimi i gjinisë së fetusit në të gjitha ndërprerjet e shtatëzanisë nga mjeku që kryen ndërprerjen.

 “ Në studimin e bërë janë marrë në intervistë 1579, në pesë qarqe, staf mjekësor 200 gjinekologë dhe mami dhe janë realizuar 14 fokus grupe me gra të martuara mbi 20-vjeç, të cilat kanë kryer abord selektiv, 35% kanë qenë  burra dhe 65% gra,  pikë së pari, ka të bëjë me mentalitetin në vendin tonë, 47% e tyre pranojnë se të afërm të tyre kanë bërë abord selektiv, një pjesë e tyre  direkt se pranojnë. Një pjesë e këtyre abordeve janë bërë në ambientet  e shtëpisë, të cilat janë kryer në shkelje të ligjit sepse gjinia e fëmijës dallohet pas javës së 12-të”, tha znj. Arlinda Shehu.

 Në një raportim shterues, përfaqësuesit e kësaj shoqate dhanë dhe propozimet e tyre për të ndryshuar ligjin për ndërprerjen e shtatëzanisë.

 Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi, mbështeti dhe vlerësoi punën e bërë për këtë raport shumë të rëndësishëm, i cili ndihmon për të ndërmarrë nisma ligjore dhe kontrollin parlamentar.

 Z. Robert Gajda, Komisioneri per Mbrojtjen nga Diskriminimi ngriti shqetësimin se ka mangësi në shifra, raporte, të dhëna nga institucionet dhe organet shtetërore, fenomeni ekziston.

Ndërsa, zëvendësministrja e  Ministrisë së Shëndetësisë znj. Mira Rakacolli tha se po punojmë për ta parandaluar këtë fenomen dhe se abordi selektiv nuk lejohet me ligj, ndaj nuk kemi shifra të sakta.

“Deri në javën e 12 abordi është i lejuar, mbas javës së 12 abordi duhet të bëhet në institucione  të licencuara dhe mirë pajisura sepse jo vetëm që përbën riskun, por kërkon dhe një asistencë mjekësore , nuk mund të bëhet në shtëpi.”

Gjatë mbledhjes u diskutuan, sugjeruan, adresuan shumë  problematika  lidhur me këtë çështje.

Kryetarja e nënkomisionit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas znj. Eglantina Gjermeni  u shpreh së së bashku me të gjithë aktorët të ndërmarrim hapa për të adresuar të gjitha sugjerimet tona përmes proceseve që jemi angazhuar ti bëjmë.

Znj. Gjermeni tha se parlamenti luan rol monitorues, ndërsa  institucionet e tjera shtetërore duhet të  forcojnë kontrollin mbi klinika private dhe të tjerë.

Në përfundim, znj. Gjermeni nënvizoi faktin e realizimit të fushatave  sensibilizuese në mbarë vendin dhe  bashkëpunimin  e mëtejshëm për ndryshimet ligjore.