Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 13/12/2018

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi, u zhvilluan sot punimet e seancës, në të cilën u miratuan gjashtë  projektligje dhe dy projektvendime.

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi bëri me dije projektligjet e depozituara nga Këshilli i Ministrave për shqyrtim në Kuvend.

Më pas, seanca vijoi punimet me  diskutime  për projektligjin "Për një ndryshim në ligjin nr.7764, datë 2.11.1993, “Për investimet e huaja”, të ndryshuar. Në emër të grupit parlamentar të PS-së, znj. Evis Kushi u shpreh se  zgjatja e afatit është parashikuar vetëm për një vit, sepse në të njëjtën kohë po punohet nga institucionet përgjegjëse për hartimin e një ligji të unifikuar dhe gjithëpërfshirës të investimeve të huaja dhe strategjike, në përputhje me rekomandimet e BERZH-it.  “Projektligji që po shqyrtojmë sot parashikon ndryshimin e pikës 1, të nenin 11/1 të ligjit, duke e shtyrë afatin e efektshmërisë së mbrojtjes së posaçme shtetërore nga 31 dhjetori 2018 në 31 dhjetor 2019. Ky ligj ka  në fokus mbrojtjen e posaçme shtetërore për garanci dhe siguri të shtuar juridike ndaj investimeve/investitorëve të huaj, të cilët investojnë në Shqipëri”- tha znj. Kushi. Ky projektligj u miratua me 72 vota pro.

Duke e cilësuar të rëndësishëm miratimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar,deputetja znj. Eglantina Gjermeni, në emër të grupit të PS-së, theksoi se ndryshimet e bëra në ligj kanë në fokus luftën ndaj kriminalitetit  dhe korrupsionit.

“Ky projektligj vjen në Kuvend si pjesë e një pakete të propozuar nga Këshilli i Ministrave për ndryshime në katër ligje: në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar”; në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar”; në ligjin nr. 55/2015, “Për investimet strategjike”; në ligjin nr. 93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar””,me qëllim luftën ndaj kriminalitetit, KM e shtriu këtë parashikim të zgjeruar dhe më gjithëpërfshirës, jo vetëm tek ligji për prokurimin publik por edhe në të tre ligjet e tjera të paketës. Ndryshimet e propozuara synojnë përjashtimin nga përfitimi i mbështetjes dhe lehtësive të parashikuara nga ky ligj, për personat e dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e disa veprave penale, kur ata janë investitorë, anëtarë të një organi administrativ, apo që kanë kompetenca përfaqësuese,etj.”- sqaroi znj. Gjermeni. Ky projektligj u miratua me 72 vota pro.

Gjithashtu, seanca  diskutoi dhe dy projektligje shumë të rëndësishme, që kanë impakt  jo vetëm në jetën ekonomike të vendit, por edhe atë shoqërore.  Në emër të grupit parlamentar të PS-së për projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, fjalën e mori znj.Blerina Gjylameti. Sipas saj, këto  dy projektligje së bashku me ndryshimet e propozuara në ligjin për prokurimin publik dhe ligjin për turizmin, janë pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore që kanë si qëllim ndalimin e përfitimit të të mirave publike nga subjektet e dënuara për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me krimin e organizuar.

“Një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra në vendin tonë në këto vite,efektet e së cilës po ndihen që tani, duke vendosur themele të sigurt për prosperitetin e shoqërisë sonë të nesërmen. Edhe kjo nismë që ne po shqyrtojmë sot në fakt që lidhet me investimet strategjike është e lidhur drejtpërdrejt me vullnetin që ne kemi treguar si mazhorancë për të ndarë njëherë e mirë shtetin ligjor me krimin. Në kuadër të luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar, ky projektligj është hartuar me qëllim e vetëm të mospërfitimit të mbështetjes dhe lehtësive të parashikuara nga ligji, jo vetëm nga investuesit, të cilët janë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale, por edhe në rastet kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë është anëtar i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse ose kontrolluese brenda investuesit. Krimi i organizuar është një sfidë për tu luftuar, derisa ai ndërmerr veprime kriminale apo terroriste ndaj segmenteve të tij apo njerëzve që presin mbrojtje nga Shteti. Ndaj marrja e nismave të tilla që dobësojnë botën e krimit, do të kontribuojnë jo vetëm në luftën ndaj këtij fenomeni por dhe në forcimin e shtetit dhe të ekonomisë vendase. Shqipëria ka nevojë për investitorë serioze ku investimet e tyre nuk janë flluska për të bërë pastrimin e parave sikurse mendon bota e krimit”- sqaroi ndër të tjera znj. Gjylameti. Këto dy projektligje u miratuan me 72 vota pro.

Për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik të ndryshuar”, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste diskutoi z. Edmond Leka. Në fillim të fjalës së tij z. Leka e konsideroi një zhvillim pozitiv krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së. Ai cilësoi se zhvillime të tilla garantojnë më shumë luftë dhe rezultate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e në këtë këndvështrim, ai theksoi se projektligji në shqyrtim ofrohet me qëllimin e vetëm të mospërfitimit të fondeve publikeve, jo vetëm nga operatorët e dënuar me formë të prerë, por edhe në rastet e dënimeve të anëtarëve të tyre përfaqësues. “Operatori ekonomik, por edhe individët përfaqësues me dënime penale, nuk do të përfitojnë para publike”- u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, që gjithashtu theksoi se ndryshimi vjen në përputhje me direktivat e BE-së. Për z. Leka, miratimi i ligjit përbën domosdoshmëri për trajtimin e fenomeneve problematike të hasura në praktikë. Sipas deputetit Leka, ky ligj e bën më serioze dhe më konkrete luftën me të gjitha mënyrat kundër krimit në Shqipëri. Në përfundim të diskutimeve, ky projektligj u miratua me 72 vota pro.

Lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2018 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar ,znj. Klotilda Bushka, në emër të grupit parlamentar të PS-së,  u shpreh se projektligji përmbush një nga detyrimet kryesore, që vijnë nga prioriteti i tretë: lufta kundër korrupsionit. Sipas deputetes, roli i ILDKPI-së, së fundmi është rritur së tepërmi. “Ky institucion, përveç rolit dhe imazhit pozitiv që ka në arenën vendase dhe ndërkombëtare, sa i takon luftës kundër korrupsionit, ka edhe detyra të reja më të plota, që vijnë në të njëjtën linjë me frymën e reformës në drejtësi. Një nga këto kompetenca ka të bëjë edhe me kontrollin e deklarimeve, që kryhen online”,- u shpreh znj. Bushka, që deklaroi gjithashtu se sistemi elektronik online publik është gati për pilotim e në prag përfundimi.

“Ligji aktual parashikon që ky sistem do të jetë gati jo më vonë se tre vjet nga miratimi i ndryshimit të ligjit në 2017-n, por nevoja për ta patur një sistem të deklarimit online, që do të nxisë transparencën e zyrtarëve karshi publikut, duke rritur edhe më tej luftën kundër korrupsionit, është tashmë një fakt që është adresuar dhe duhet të zgjidhet me mekanizma konkrete në ligjin tonë, sipas rekomandimeve që bën progres-raporti i BE-së për Shqipërinë, i publikuar në prill të vitit 2018”,- tha deputetja Klotilda Bushka.

Ky projektligj u miratua me 72 vota pro.

Seanca plenare, me 72 vota pro miratoi projektvendim “ Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit  “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 “Për  Policinë e Shtetit” të ndryshuar”. Sipas rendit të ditës, Kuvendi miratoi me  65 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenim kandidaturën e znj. Raimonda Islamaj, anëtare e Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë, kundrejt kandidaturës së z. Enton Shaha, që mori  68 vota kundër, 2 pro dhe 2 abstenim.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 13:00.