Zhvillohet takimi i radhës i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian

  • Postuar më, 13/12/2018

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian zhvilloi sot takimin e tij të radhës, me qëllim diskutimin mbi përgatitjet e Shqipërisë në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. I ftuar në këtë takim ishte ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, i cili njohu anëtarët dhe të ftuarit e përhershëm në Këshill mbi ecurinë e procesit të integrimit dhe përgatitjet për krijimin e strukturës kombëtare shtetërore për zhvillimin e negociatave.

Takimi u hap nga z. Taullant Balla, zevendeskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.  Gjatë fjalës përshëndetëse, z. Balla theksoi se faza e avancuar në të cilën është procesi i integrimit kërkon rritjen dhe forcimin e gjithëpërfshirjes në hartimin dhe monitorimin e reformave integruese. Per z. Balla, nxitja dhe lehtësimi i dialogut publik mbi zbatimin dhe cilësinë e këtyre reformave si dhe informimi korrekt i shoqërisë mbi sfidat dhe përfitimet në procesin e integrimit janë vendimtare në konsolidimin e konsensusit mbarë shoqëror. Për këtë qëllim, sipas z. Balla, jo vetëm është e nevojshme që ky Këshill të mblidhet më shpesh, por edhe që vetë roli i tij në nxitje dhe garantim të bashkëpunimit gjithëpërfshirës, të forcohet më tej me qëllim mbikqyrjen sa më efektive të ecurisë së procesit të integrimit.

Gjithashtu Z. Balla u ndal edhe te ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Kuvendit për forcimin e mbikqyrjes parlamentare në procesin e integrimit. “Ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin e parashikimeve të Rregullores lidhur me procesin e përafrimit të legjislacionit me qëllim sigurimin e një kontrolli më efektiv të përputhshmërisë me acquis të BE-së të projektligjeve që i propozohen Kuvendit, si dhe një cilësi më të mirë të legjislacionit të përafruar. Gjithashtu ndryshimet e propozuara kanë për qëllim përshtatjen e neneve të Rregullores së Kuvendit me dispozitat e ligjit nr. 15/2015 "Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” në kuadër të forcimit të kontrollit parlamentar për procesin e integrimit”,- tha zevendeskryetari i Keshillit Kombetar te Integrimit.

Gjatë fjalës së tij, ministri Bushati bëri një prezantim të detajuar të projektvendimit të Këshillit të Ministrave mbi ngritjen e strukturës negociuese për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e cila do të ketë rolin kyç jo vetëm gjatë negociatave, por dhe në të gjithë instrumentet e tjerë përbërës të procesit të integrimit. Ministri Bushati theksoi se negociatat do të jenë një proces i vështirë, por që do të sjellë një transformim modernizues në funksionimin e administratës, bashkërendimin institucional, kapacitetet planifikuese dhe zbatuese, dhe transparencën e politikëbërjes. Struktura negociuese e propozuar u diskutua me anëtarët dhe të ftuarit e përhershëm në Këshill, me qëllim dhënien e sugjerimeve dhe rekomandimeve konkrete në funksion të krijimit të një strukture kombëtare sa më gjithëpërfshirëse.