Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 18/12/2018

18 dhjetor 2018


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme projektligjet: “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust-it”, “Për një shtesë në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust-it”, i pranishëm në komision ishte z. Besmir Beja, këshilltar i Ministrisë së Drejtësisë.  Përfaqësuesi i ministrisë, lidhur me prezantimin e projektligjit për komisionin, u shpreh se: “Marrëveshja ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit gjyqësor dhe lehtësimin e bashkërendimit të hetimeve dhe ndjekjes penale që shtrihen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në një ose më shumë shtete anëtare të BE-së”. Deputeti Jurgis Çyrbja, relator për komisionin, duke ofruar mbështetjen e tij për projektligjin, listoi në fjalën e tij objektivat e marrëveshjes: fuqizimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimeve të rënda, veçanërisht krimit të organizuar dhe terrorizmit; bashkërendimin dhe financimin e veprimeve hetimore të përbashkëta, njëkohësisht me financim të BE-së, nëpërmjet skuadrave hetimore të përbashkëta dhe garantimin e një niveli mbrojtjeje për të dhënat personale të ofruara nga pala tjetër, në respektim të Konventës së Këshillit të Evropës, të 28 janarit 1981, “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”, dhe të parimeve të përcaktuara në vendimin e Eurojust-it. Komisioni e miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust-it” në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Komisioni vijoi punimet e mbledhjes me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi i projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar. E pranishme në komision për diskutimin e kësaj pike të rendit ishte ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj. Të pranishëm në komision, përveç përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, ishin edhe përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Misioni Ndërkombëtar “EURALIUS”. “E rëndësishme të kuptohet pse është i nevojshëm ky regjim përkufizues për disa të drejta të disa personave me lidhje me grupet kriminale, krimin e organizuar, organizatat terroriste; është për faktin e problematikës së hasur në praktike, kjo jo vetëm nga shërbimet e brendshme te sistemit te burgjeve, por edhe nga shërbimet informative kombëtare por edhe te huaja”,- u shpreh ministrja e Drejtësisë. Komisioni, në bashkërendim me vërejtjet dhe sugjerimet e relatorit të projektligjit për komisionin, deputetit Adnor Shametaj, vijoi me miratimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit.

Në pikën e fundit të rendit të ditës, me praninë e përfaqësuesve nga Misioni Ndërkombëtar “EURALIUS” dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë, në relatimin për komisionin të znj. Vasilika Hysi, komisioni përfundoi shqyrtimin dhe miratimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar.