Komisioni për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejat e Njeriut, zhvilloi vizitë informuese në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale

  • Postuar më, 21/12/2018

Komisioni për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejat e Njeriut, në përmbushje të detyrave funksionale në kuadër  të ushtrimit të kontrollit parlamentar në institucionet e pavarura dhe ato të krijuara me ligj që janë në fushën e përgjegjësisë së komisionit, si dhe bazuar në kalendarin e komisionit:  “Për masat konkrete në përmbushje të Planit të Veprimit të Kuvendit (PVK), angazhimeve nga Reforma në Drejtësi dhe Rezoluta e Kuvendit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”; ditën e mërkurë, datë 19.12.2018, zhvilloi vizitë informuese në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.


Tematika e vizitës së Komisionit për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejat e Njeriut, ishte informimi i deputetëve në lidhje me:

Rolin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si institucion i pavarur dhe autoriteti përgjegjës që mbikëqyr dhe monitoron të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me ligjin nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligjin nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, gjatë periudhës janar dhjetor 2018;

Kontrollet dhe hetimet administrative lidhur me respektimin e të drejtës për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale, hetimet proaktive me iniciativë lidhur me procesin e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave personale të qytetarëve nga kompanitë e mëdha publike dhe private, të kryera nga Zyra e Komisionerit në zbatim të rekomandimeve të Rezolutes së Kuvendit.

Për masat administrative të ndërmarra nga Zyra e Komisionerit, në rastet e shkeljeve ligjore të konstatuara, mungesën e programeve të transparencës, regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve dhe caktimin e koordinatorit, me fokus të veçantë ministritë dhe organet e pushtetit qendror;

Informacion i përgjithshëm për ankesat e qytetarëve drejtuar Zyrës së Komisionerit, me objekt të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale;

Angazhimin e Zyrës së Komisionerit për pasurimin e programeve të transparencës së institucioneve publike dhe jopublike me informacione që kanë të bëjnë me objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm, në kuadër dhe të rezolutës së Kuvendit të Dhjetorit 2017 “Për objektivat e zhvillimit të qendrueshëm të axhendës 2030 të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”.

Komisioneri z.Dervishi informoi deputetët në lidhje me tematikën e takimit, investimin e Zyrës së Komisionerit për përmbushjen e detyrave funksionale që burojnë nga legjislacioni kuadër për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe nivelin e përmbushjes së rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit për vitin 2018.

Deputetët pasi u informuan nga Komisioneri në lidhje me tematikën e takimit, nëpërmjet pyetjeve kërkuan informacion shtesë për fusha të veçanta: nivelin e sigurisë së të dhënave personale të qyterarëve, për anonimizimin e të dhënave të shtetasve në vendimet gjyqësore, respektimin e legjislacionit të së drejtës për informim nga institucione të ndryshme etj.

Në fund të takimit deputetët vlerësuan:

Rolin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si institucion i pavarur dhe autoriteti përgjegjës që mbikëqyr dhe monitoron të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me ligjin nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligjin nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar;

Rolin aktiv të Zyrës së Komisionerit në rritjen e ndërgjegjësimit të Autoriteteve Publike për detyrimet e tyre mbi hartimin dhe publikimin e programeve të transparencës dhe dhënien e informacionit publik;

Angazhimin e Zyrës së Komisionerit për rritjen e numrit të inspektimeve dhe verifikimit të rekomandimeve në sektorë të ndryshëm që mbledhin e përpunojnë të dhëna personale.