Seanca e sotme plenare nuk e miratoi nismën e opozitës, për ndryshime kushtetuese

  • Postuar më, 21/12/2018

21 dhjetor 2018

Seanca e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, rrëzoi në parim me 74 vota  kundër dhe 52  pro, amendamentet e opozitës për  veting-un në politikë. 

Prezantimin e projektligjit, në emër të grupit nismëtar, e kreu deputeti i Partisë Demokratike, z. Oerd Bylykbashi. Deputeti i Partisë Demokratike u shpreh se ky projektligj synon vetting-un e politikanëve të lartë dhe të çdo zyrtari të lartë kushtetues e me funksione të larta, për lidhjet me krimin. Për z. Bylykbashi, problem i lidhjeve me krimin është ekzistent, i forte dhe i rëndë, gjë që e dëshmon edhe ekzistenca e ligjit të dekriminalizimit dhe vetting-u i sistemit të drejtësisë. Shqetësues për deputetin Bylykbashi ishte fakti që 350 zyrtarë shtetërorë janë larguar nga funksionet e tyre me vendim gjykate për lidhjet me krimin. Sipas tij, me amendamentet kushtetuese të propozuara nga Partia Demokratike, mbyllet hapësira e anashkalimit të ligjit të dekriminalizimit. “Parlamenti ka udhëzuesin e qartë nga Komisioni i Venecias, pa pretendimin e shkeljes së Kushtetutës”,- u shpreh z. Bylykbashi, që në leximin e tij, nga opinion i Komisionit të Venecias veçoi pesë çështje: (a) konsiderimin legjitim të futjes së instrumentit të posaçëm të vetting-ut për politikanët, (b) udhëzimin për ç’duhet bërë më pas miratimit të amendamenteve, për përgatitjen e ligjit, (c) konsiderimin si kushtetues të kufizimit të së drejtës për t’u zgjedhur të përfaqësuesve të organizatave kriminale, (d) nevojën për dialog konstruktiv mes mazhorancës dhe opozitës, për amendimet e paraqitura dhe (e) gatishmërinë e Komisionit të Venecias për asistencë në drejtim të përmbylljes së projektligjit.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Partisë Socialiste, znj. Vasilika Hysi, u shpreh se mazhoranca dhe Kuvendi i Shqipërisë e kanë trajtuar me shumë seriozitet propozimin e Partisë Demokratike. Sipas saj askush nuk e vë në diskutim nevojën e pastrimit të politikës dhe të gjithë institucioneve nga njerëzit e inkriminuar dhe pa integritet. Znj. Hysi u shpreh se mazhoranca këtë preokupim e ka dëshmuar përmes një seti nismash ligjore të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi.

Problematik për znj. Hysi paraqitet fakti se opozita kërkon të vett-ojë nëpërmjet një mekanizmi, që sipas saj s’dihet kush është, edhe drejtuesit dhe të gjithë të zgjedhurit për KLGJ, KLP dhe organet e vetting-ut, por nuk shprehet për familjarët e tyre, apo anëtarët e këshillave bashkiake dhe një sërë kategorish të tjera, të cilat në kuadër të reformës së drejtësisë janë bërë tashmë subjekte të vlerësimit si persona të lidhur me funksionarët e lartë.

Delegacioni i Komisionit të Venecias, sipas znj. Hysi, në takimin e tij në Tirane ka dëgjuar të gjitha palët dhe ka dhënë një raport përfundimtar. Shqetësues për Zëvendëskryetaren Hysi është edhe fakti që ky raport u lexua ndryshe nga opozita, edhe pse ishte i qartë.

“Përfaqësusesit e të gjithë aktorët dëshmuan se kjo nismë nuk përmbush kriteret, nuk është e qartë dhe ka vend për arbitraritet dhe abuzime”, - tha deputetja e Partisë Socialiste, që gjithashtu shtoi se: “Kjo përpjekje është një tentativë për të zhbërë reformën në drejtësi, por edhe të gjithë paketën e ligjeve të miratuara deri në vitin 2017”

Për znj. Hysi, nga opozita është zgjedhur një moment i gabuar sepse tashmë janë ngritur dy institucione, KLGJ dhe KLP, dhe institucionet e sapongritura lançuan zgjedhjen e SPAK-ut dhe hapën procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, brenda muajve janar-shkurt 2019.

“Janë pikërisht këto institucione që janë ngarkuar të hetojnë jo vetëm funksionarët e lartë, por edhe lidhjet e tyre me botën e krimit dhe rrethi i subjekteve është shumë më i gjerë se rrethi i parashikuar në ndryshimet tuaja”, - u shpreh znj. Hysi, që vijoi duke thënë se:  “Kjo nismë do ta bëjë pis reformën në drejtësi, do ta politizojë atë, sepse keni kërkuar të bëni subjekt vetting-u politik njerëz pa lidhje me politikën: drejtuesit e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj. Kjo është e rrezikshme”,- u shpreh deputetja Hysi.

”Kërkoni vetting politikanësh, por përfshini krerët e institucioneve kushtetuese dhe institucioneve te pavarura: AP, KLSH, KLGJ, KLP, organet e vetting-ut etj.”- tha ajo.

Znj. Hysi u shpreh në fjalën e saj se Byroja Kombëtare e Hetimit fillon punë shumë shpejt dhe se Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme heton të gjitha akuzat për të cilat opozita kërkon të vlerësoje nëpërmjet kësaj nisme kushtetuese. Deputetja e Partisë Socialiste përmendi edhe ndryshimet ligjore të një sërë ligjeve gjatë vitit 2017, si ligji anti-mafia,  ligji për pastrimin e parave, ligji për ILDKPI, ligji për konfliktin e interesave, qe e zgjerojnë bashkërisht rrethin e kontrollit më gjerë se sa nisma e sjellë nga Partia Demokratike.

Kreu i grupit parlamentar të LSIA-SË Z. Petrit Vasili, në fjalën e tij, tha se ajo që ne po  diskutojmë sot është një nismë e qartë dhe parimore.

Ndarja njëherë e përgjithmonë, cilado qoftë kosto e kësaj gjëje, pasi vendi ka mbetur në vend. Besimi nga politika, sigurisht me shumë të drejtë është ulur dhe kontributi që ka dhënë mazhoranca në këtë ulje ka qenë i konsiderueshëm. Mazhoranca ka gjetur të fshihet pas Venecias. Shumë mirë.Megjithatë unë nuk kam ndërmend të bëj komente, por do të citojë vetëm Komisionin e Venecias, se çfarë thotë. Nuk pres ndonjërin nga mazhoranca të përkthejë nga shqipja në shqip se çfarë thotë Venecias, po e them ashtu siç e kanë thënë në ligjëratë të drejtë. Në rast se nuk kanë preukupacion për këtë gjë, do të thotë që të rrinë atje ngrohtë bashkë me horrat dhe kriminelët është mënyra e tyre e jetesës. Kurse për ne, është një ndarje parimore”përfundoi z.Vasili.

Në fund, Kuvendi me kërkesë të mazhorancës  miratoi me 72 vota pro dhe 2 kundër kandidaturën  e z. Arben Malaj, për  anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.