Njoftim shpallje për vendin vakant të Kryetari të Bordit të AMF

  • Postuar më, 11/01/2019

Zotit Pajtim MELANI në datë 12 mars 2019 i përfundon mandati si Kryetar i Bordit tëAutoritetit të Mbikqyrjes Financiare.          

 

Në këto kushte, Kuvendit i lind detyrimi ligjor për të bërë plotësimin e vendit, që do të rezultojë vakant pas kësaj date.

 

Në lidhje me procesin e prezantimit të kandidaturave dhe për të vijuar më pas me procedurat e parashikuara nga Ligji nr 9672, datë 03.07.2006, “Per Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare”,  për përzgjedhjen e Kryetarit të ri, njoftohen të gjithë personat e interesuar se:

 

Kriteret ligjore që duhet të plotësojnë kandidaturat për anëtar të AMF janë ato të parashikuara në nenin 5, te ligjit nr 9672, datë 03.07.2006 “Per Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare”.

 

Kriteret për kandidaturat janë:

1. të jetë shtetas shqiptar.

2. të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve

3. Me përvojë profesionale të paktën 7- vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku:

a) financë-kontabilitet;

b) administrim i shoqërive tregtare;

c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare;

ç) hartim legjislacioni;

d) shkencë e aktuarëve;

dh) sigurime shoqërore dhe pensione.

4. Me integritet moral dhe profesional.

5. Të paangazhuar në funksione drejtuese partiake.

6. Të pashpallur si të dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë.

 

Pengesa në kandidim:

Nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët:

a) në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;

b) kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi;

c) në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.

 

Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të AMF-së.

Kandidatët bashkë me dokumantacionin që provon përmbushjen e kritereve ligjore dhe mungesën e rrethanave  që përbëjnë ndalim për kandidim, duhet të dorëzojnë të plotësuar dhe të nënshkruar edhe:

-          formularin e vetëdeklarimit, sipas përcaktimeve të Ligjit nr.138/2015 “Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike” si dhe

-          formularët e vetëdeklarimit, sipas parashikimeve të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, miratuar nga “Autoriteti për Informim mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”.

 

Dokumentacioni dorëzohet pranë Zyrës së Protokollit të Kuvendit.

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është ora 16.00 e datës 21 Janar 2019.

 

Pas këtij orari, të gjitha aplikimet do t’i përcillen Komisioni të Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, i cili në cilësinë e Komisionit përgjegjës dhe duke ju referuar CV-së dhe dokumentacionit shoqërues, brenda afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, merr në shqyrtim përmbushjen e kritereve ligjore dhe meritën e çdo kandidature.