Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, bashkëbisedim me gazetarët mbi prioritetet e sesionit të ri parlamentar

  • Postuar më, 18/01/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët mbi  analizën e sesionit të kaluar dhe prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Si arritjen më të madhe të sesionit të kaluar, z. Ruçi nënvizoi mbështetjen e reformës në drejtësi. Kuvendi miratoi tre ligje të reformës dhe institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë po ngrihen,  disa po plotësohen, një pjesë e tyre kanë filluar të funksionojnë. Vetting-u po vazhdon dhe  Kuvendi ndjek ecurinë e këtij procesi, për shkak të detyrimeve për ngritjen e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. “Fakti që u konfirmuan vetëm 48% e subjekteve, provon nevojën substanciale të rindërtimit të sistemit të drejtësisë.”, vuri në dukje Kryetari Ruçi.

Z. Ruçi nënvizoi se sesioni i ri parlamentar do tu kushtohet tri prioriteteve, të cilat përbëjnë sfidat themelore në gjashtë muajt e ardhshëm. “Ky sesion duhet dhe do të jetë sesioni i çeljes së negociatave dhe Kuvendi do të realizojë të gjitha objektivat për integrimin europian dhe do të nxis e kontrolloj qeverinë të përmbushë detyrat për çeljen e negociatave në qershor të këtij viti. Do të jetë sesioni i zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në 30 qershor dhe Kuvendi do të marrë të gjitha përgjegjësitë për votimin e reformës zgjedhore dhe garantimin e standarteve të zgjedhjeve vendore. Do të jetë sesioni i kompletimit të organeve të sistemit të drejtësisë dhe Kuvendi do të krijojë të gjitha kushtet e marrë të gjitha masat për ngritjen e plotësimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatave të posaçme dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ne do të punojmë që këto sfida të realizohen në mënyrë komplementare dhe të përshpejtojnë njera-tjetrën”, përfundoi fjalën e tij Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit z.Ruçi:

Mirëseerdhët.

Ju uroj një vit të ri të mbarë dhe të sukseshëm në punë e në familjet tuaja.

Mendova të takohemi për të bashkëbiseduar mbi arritjet e sesionit të kaluar dhe prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Më lejoni të bëj fillimisht një bilanc të veprimtarisë legjislative. 

Gjatë sesionit të kaluar zhvilluam 17 seanca plenare me 66 orë debat parlamentar.

Në Kuvend u depozituan 56 projektligje, ndër to 45 nisma të qeverisë, 11 nisma deputetësh.

Miratuam 58 ligje, nga të cilat 52 nisma të qeverisë dhe 6 nisma deputetësh.

22 ligje u miratuan me shumicë absolute, 36 me shumicë të thjeshtë, 2 ligje u kthyen për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës.

Miratuam 48 vendime, nga të cilat 13 për zgjedhje/emërim; 2 emërim/shkarkim ministri; 5 miratim strukture institucioni; 1 rrëzim në parim të projektligjit; 27 për çështje të tjera.

Zhvilluam 43 orë diskutime, ndër to 38 orë mazhoranca e 5 opozita, dhe 302 diskutime, nga të cilat 257 mazhoranca e 45 opozita.

Në kuadër të kontrollit parlamentar, u zhvillua 1 interpelancë dhe 2 raportime vjetore të institucioneve të pavarura.

Qeverisë dhe institucioneve iu drejtuan 46 kërkesa për informacion, nga të cilat 17 nga mazhoranca dhe 29 nga opozita.

Në fillim të sesionit, unë drejtova thirrjen të ndajmë luftën për pushtet nga beteja e përbashkët për Europën e zbatojmë përvojën e parlamentit kroat, i cili miratoi me konsensus 683 ligje të përafrimit.

Kjo do të ishte arritur nëse  opozitën do ta kishim pasur në sallën e Kuvendit. Për shkak të kësaj mungese, nuk miratuam as reformën zgjedhore, një pjesë të akteve të reformës në drejtësi dhe akte të tjera të mbartura nga sesionet e mëparshme, si ligji për Magjistraturën, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit 2018 të Komisionit Europian për Shqipërinë, rekomandimeve të GRECO-s etj.

 

Mbështetja e reformës në drejtësi është arritja më e madhe e sesionit të kaluar.

Detyrimet e Kuvendit për reformën në drejtësi konstatojnë në: i) Miratimin e ndryshimeve ligjore; ii) Ngritjen e plotësimin e institucioneve të reja të sistemit dhe mbështetjen e tyre me burimet e nevojshme; iii) Ndjekjen e ecurisë së Vettingut.

Gjatë Sesionit të kaluar Kuvendi miratoi tre ligje të reformës:

·         Shtesat dhe ndryshimet në  ligjin “Për ekzekutimin e vendimeve penale”;

·         Shtesat dhe ndryshimet në ligjin “Për avokaturën e shtetit”;

·          Ligjin “Për noterinë”.

Komisioni i Ligjeve po shqyrton 2 projektligje e një projektvendim të reformës, të cilat do të miratohen gjatë këtij sesioni.

Institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë po ngrihen,  disa po plotësohen, një pjesë e tyre kanë filluar të funksionojnë. 

Plotësimit të Gjykatës Kushtetuese iu hap rruga pas konstituimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë i kanë përcjellë kërkesat e kandidatëve Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u konstitua në 7 dhjetor 2018.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u konstitua në 19 dhjetor e po funksionon, duke ndërmarrë të gjitha hapat për ngritjen e SPAK-ut

Këshilli i Lartë Gjyqësor u konstitua në 20 dhjetor.

Komisioni i Pavarur pranë Kuvendit për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” u konstitua më 5 nëntor 2018 dhe ka paraqitur disa raporte në Komisionin e Ligjeve.

Fillimi i punës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, hapi rrugën për zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Fillimi i punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, hapën rrugën për zgjedhjen e SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave të posaçme.

Kuvendi ndjek ecurinë e Vettingut, për shkak të detyrimeve për ngritjen e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Deri  në fund të vitit 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vlerësime për 79 subjekte, prej të cilëve 34 u shkarkuan, 38 u konfirmuan dhe 7 u dorëhoqën. 

Komisionerët Publikë kanë ankimuar 16 vendime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dhënë 10 vendime përfundimtare.

Fakti që u konfirmuan vetëm 48% e subjekteve, provon nevojën substanciale të rindërtimit të sistemit të drejtësisë.

 

Kuvendi ushtron përgjegjësitë për integrimin europian në tri aspekte: i) garanton  legjitimitetin demokratik; ii) ushtron kontrollin ligjor; iii) siguron kontrollin politik të procesit.