Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje të rëndësishme
- Postuar më, 23/01/2019
Komisioni për Politikën
e Jashtme miratoi dy marrëveshje të rëndësishme. Në fillim të mbledhjes,
kryetarja e komisionit znj. Mimi Kodheli falenderoi anëtarët për bashkëpunimin
gjatë gjithë vitit të shkuar si edhe vazhdimi i tij për këtë vit.
Të ftuar për
projektligjin “Për ratifikimin letër marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së
huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim
dhe Zhvillim (IBRD), për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të
ratifikuar me ligjin nr. 40/2012”, ishin znj. Dorina Çinari, zëvendësministre
për Infrastrukturën dhe Energjinë, z. Agim Bregasi drejtor në ministrinë për
Infrastrukturën dhe Energjinë, z. Fatos Bundo drejtor në KESH .
Në prezantimin e
projektligjit znj. Çinari theksoi se siguria e digave është një projekt i madh
dhe kërkohet një rialokim fondesh brenda për përbrenda vlerës së investimit pa
ndryshuar tavanin, thjesht rialokim nga zëri i asistencës teknike në një zë që është
investime.
“Qëllimi i gjithë
projektit është të përforcohet dhe të monitorohet siguria e digave, me qëllimin
që të kemi sigurimin me energji elektrike dhe siguri të sistemit
elektroenergjitik.”, tha ndër të tjera znj. Çinari.
Për projektligjin “Për
ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Bashkimit Evropian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojes Bregdetare
dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë”, ishin të ftuar z. Julian
Hodaj zëvendësministër i Brendshëm, znj. Aida Hajnaj zëvendësdrejtore e
Kufirit, znj. Renata Balliu përgjegjëse Sektorit të Këshillimit Ligjor,
Drejtoria e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator
etj.
Në prezantimin e këtij
projektligji, zëvendësministri Hodaj tha se kjo është një marrëveshje e cila
fokusohet në statusin e oficerëve të Frontex që do të operoje në Shqipëri dhe
do të pasohet nga marrëveshje operacionale, përsa i përket detajeve dhe
procedurave të veprimeve në terren.
“Veprimet operacionale
që do të kryhen janë gjithmonë në prani ose të shoqëruar nga forcat e policisë
shqiptare që janë përgjegjëse për kufirin, për menaxhimin e kufirit.”, u shpreh
z. Hodaj.
Relatorja e këtij
projektligji znj. Elona Gjebrea, në fjalën e saj tha se kjo është një
marrëveshje shumë e rëndësishme dhe bashkëpunimi operacional ndërmjet
Shqipërisë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian realizohet ndërmjet kësaj
marrëveshje.
Pas diskutimeve,
projektligjet u miratuan nen për nen dhe në tërësi.