Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 124/2015 "Për efiçencën e energjisë""

  • Postuar më, 29/01/2019

Në drejtimin e kryetarit z. Niko Peleshi, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 124/2015 "Për efiçencën e energjisë"". Të ftuar për prezantimin e këtij projektligji ishin zv/ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Dorina Cinari, znj. Entela Cipa drejtore e Agjencisë së Eficencës së Energjisë dhe z. Enea Karakaci drejtor Juridik.

Ne fjalën e saj, znj. Cinari u shpreh se me anë të projektligjit propozohet shfuqizimi i licencës audituese energjitike dhe licencës shërbime energjitike, që janë parashikuar si licenca në ligj, por akoma nuk janë përfshirë në njërën prej kategorive dhe nënkategorive të përcaktuara në aneksin 1 të VKM-së 538 të vitit 2009.

“Me shfuqizimin e kësaj licence, ushtrimi i veprimtarisë së auditimit të energjisë dhe shërbimet energjitike do të jenë të lira. Ndërkohë projektligji parashikon se veprimtaritë e auditimit të energjisë dhe shërbimet energjitike mund të kryhen vetëm nga subjekte të certifikuara për këtë qëllim”, tha ndër të tjera znj. Cinari.

Relatori i këtij projektligji z. Arben Pëllumbi, cilësoi në fjalën e tij se procedura që vjen është procedura e standardizimit, që do të thotë se duhen përcaktuar në një manual të caktuar klasat energjitike, dhe përcaktimi i këtyre fazave ka të bëjë me fazën e projektimit, ku në varësi të projektit që do të bëhet për klasën energjitike të përcaktuar bëhet  gjithashtu edhe kontrolli përkatës.

Pas diskutimeve mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve, projektligji u miratua në parim.


Share