Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim një projektvendim

  • Postuar më, 06/02/2019

6 shkurt 2019 


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi në parim projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.” Diskutimi për çështjen ishte në vijueshmëri të seancave paraardhëse të komisionit.

 

Relatorja e projektligjit, znj. Vasilika Hysi, u shpreh se dokumenti përmbledh një sërë propozimesh, që sjellin përmirësim të mënyrës së funksionimit të Kuvendit në drejtim të aspektit legjislativ, reflektimit të rekomandimeve të projektit IPA dhe rekomandimeve të GRECO-s dhe çështjeve që përforcojnë etikën parlamentare. “Rregullorja është miratuar në vitin 2004. Ndërkohë që nga 2004-a e në vijimësi janë miratuar një sërë ligjesh dhe ka disa ndryshime kushtetuese të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në veprimtarine e parlamentit”,- argumentoi znj. Hysi për rëndësinë e ndryshimeve të paraqitura përmes projektvendimit.

 

Opozita kundërargumentoi që projektvendimi duhej shqyrtuar në organin e posaçëm, që sipas tyre, parashikon Rregullorja e Kuvendit, konkretisht në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Opozita e quajti deformim shqyrtimin në komisionin e çështjeve ligjore të këtij projektvendimi, duke deklaruar mungesën e kompetencës së këtij të fundit për shqyrtim.

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut hodhi në votim propozimin e opozitës, duke mos e miratuar atë.

Më tej, komisioni parlamentar, në përfundim të diskutimeve, e miratoi në parim projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.”