Mblidhet nënkomisioni për Vetingun në Polici

  • Postuar më, 06/02/2019


 U mblodh sot, në drejtimin e kryetares, znj Ermonela Felaj, nënkomisioni parlamentar për  ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, i njohur ndryshe dhe si ligji per Vetingun i policisë.

 

E ftuar,  për të raportuar, për ecurinë e procesit të Vetingut në Polici, ishte Znj.Aida Shehi, Drejtoresha e Pergjithshme Ekonomike dhe e Sherbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Brendshme, njëkohësisht edhe Kryetare e Bordit Përzgjedhës.

 

Znj Felaj, në vijim të mbledhjes së nënkomisionit , ja dha fjalën znj. Aida Shehi për të raportuar mbi vijueshmërinë e  veprimtarisë se Bordit Përzgjedhës, Komisionit të Jashtëm te Vlerësimit  të Gradave më të larta në Policinë e Shtetit  dhe  Sekretiariati Teknik, si dhe  për afatin e fillimit te procesit të Vetingut në Polici.

Ne fjalën e saj, znj Shehi theksoi se, Ministria e Brendshme me hyrjen në fuqi të ligjit, ka marrë masat për ngritjen e strukturave,  sa i përket vijimit të procesit  të vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë, duke ngritur së pari Bordin Përzgjedhës, i cili përbëhet nga  Z.Fatbardh Zenelaj përfaqësues i Institucionit të Avokatit të Popullit, z.Gjergji Semani Përfaqësues i SHISH,  Znj.Ardita Shehaj perfaqësuese e Institucionit të  Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe nga Znj. Ardiana Hala, përfaqësuese e Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

“Me krijimin e këtij Bordi dhe miratimin e VKM-së përkatëse, për trajtimin financiar të anëtarëve të Bordit Përzgjedhës, të  Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit Kalimtar të punonjësve të Policisë si dhe të Sekretariatit Teknik pranë këtij Komisioni, ka vijuar puna për marrjen e masave,  sa i përket logjistikës”- – shtoi më tej znj Shehi.  Ajo vuri në dukje se: “ jemi në pritje të nisjes së  punës të  Sekretariatit Teknik dhe Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit”

 

Më pas znj. Shehi ju përgjigj pyetjeve dhe  interesimit  te anëtarëve te nënkomisionit  për ecurinë e punës se organeve të përzgjedhura për Vetingun në rradhët e Policisë së Shtetit, si dhe vuri theksin te hapat e tjerë që do të ndiqen, për trajnimet nga ekspertë ndërkombëtarë si PAMECA DHE ICITAP ,  por edhe përcaktimin e rregullores së Komisionit të Jashtëm . Znj Felaj në mbyllje të mbledhjes inkurajoi punën e Bordit Përzgjedhës por edhe strukturave të tjera   për një proces të drejtë dhe efektiv, për Veting-un në Polici.