Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me Asambletë e Universiteteve

  • Postuar më, 12/02/2019


Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me asambletë e universiteteve.

Kjo seancë dëgjimore u zhvillua në kuadër të protestës studentore, menaxhimit të situatës rast pas rasti, gjatë dhe pas protestës, qëndrimet e pedagogëve ndaj VKM-ve, mbi çështje të funksionimit të universiteteve, situata pas implementimit të arsimit të lartë si edhe pozita e pedagogut dhe çështje të tjera mbi arsimin e lartë.

Të ftuar në seancën e sotme dëgjimore ishin përfaqësues nga asambleja e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, kryetari i asamblesë z. Dhori Kule,   z. Shyqyri Llaci dhe  z. Sulo Hadëri. Përfaqësues nga asambleja e fakultetit të Gjuhëve të Huaja,  z. Artur Sula kryetar i asamblesë dhe z. Alban Foci. Nga asambleja e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ishin z. Spiro Drushku dekan i këtij fakulteti dhe z. Artur Baxhaku, nga fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ishin z. Agron Gjekmarkaj, znj. Erka Caro, z. Andi Pinari dhe znj. Jonila Godole. Përfaqësues nga fakulteti i Drejtësisë ishin z. Artan Hoxha, znj. Kestrin Kastro dhe znj. Zhaklin Peto. Kurse, nga asambleja e fakultetit të Shkencave Sociale përfaqësues ishin z. Edmond Rapti dhe znj. Marinela Sota.

Kryetari i asamblesë z. Dhori Kule, në fjalën e tij u shpreh se protesta studentore rezultoi një efekt pozitiv sa i përket mësimdhënies dhe përkushtimit të pedagogëve pas protestës, gjë të cilën e konsideroi të nevojshme ku fill pas kësaj u miratua dhe Statuti.

Ndërsa në fjalën e tij z. Gjekmarkaj përfaqësues i asamblesë nga fakulteti i Historisë dhe Filologjisë e cilësoi protestën studentore një ngjarje të jashtëzakonshme, ku nisi si rrjedhojë e ligjit për Arsimin e Lartë që solli edhe krizën e sotme të universiteteve.

Më tej, gjatë prezantimit z. Artan Hoxha nga asambleja e fakultetit të Drejtësisë falënderoi fillimisht studentët e Drejtësisë për rifillimin e mësimit ditën e sotme dhe e cilësoi fakultetin ku bën pjesë si konkurrues dhe fitues i tre projekteve nga Bashkimit Evropian.

Nga fakulteti i Shkencave të Natyrës, z. Spiro Drushku u ndal tek ligji për Arsimin e Lartë ku e cilësoi të nevojshëm rishikimin e tij në mënyrë të tërthortë, si edhe foli për procesin e doktoraturave, kërkimin shkencor etj.

Gjatë dëgjesës u prekën, komentuan dhe sugjeruan edhe çështje të tjera si, buxheti për arsimin e lartë, tarifat e studimit, problemet e mbartura dhe të shfaqura në botën akademike, metodologjitë e ndryshme të mësimdhënies, implementimi i risive të ndryshme evropiane marrë nga vendet e BE dhe universitetet perëndimore dhe çështje të ndryshme të funksionimit të universiteteve.