Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 12/02/2019

12 shkurt 2019


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme dy projektligje, nisma të deputetit të Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, në kuadër të paketës së reformës së pronës. Projektligjet e miratuara, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar” dhe “Për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi token bujqësore”, të ndryshuar”, ishin diskutuar dhe miratuar në parim në seancat paraardhëse të komisionit. Të pranishëm në mbledhje ishin znj. Ermira Gjeçi, zëvendësministre e Bujqësisë dhe znj. Teuta Vodo, zëvendësministre e Drejtësisë. Relatorë të të dy projektligjeve ishin deputetët e Partisë Socialiste, znj. Klotilda Bushka dhe z. Bashkim Fino.

Znj. Bushka, në cilësinë e relatores, sqaroi se të dy projektligjet kanë nevojë për dy ndërhyrje: për shtyrje të afateve dhe për saktësimin e zgjidhjes së problematikës për banorët e Divjakës, për familjet bujqësore. Deputetja Bushka u shpreh gjithashtu se është punuar me një grup të përbashkët pune, me praninë e të dy relatorëve, me praninë e propozuesit, z. Brace dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ministrive përkatëse, për të punuar riformulimet në ndryshimet e propozuar nga z. Braçe, lidhur me qartësinë e tyre dhe teknikën legjislative. Znj. Bushka prezantoi për komisionin riformulimet përkatëse.  Opozita, përmes z. Fatmir Mediu, ngriti pretendimin e mospërputhshmërisë së projektligjeve me standardet evropiane. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë shprehën dakordësinë me propozimet e z. Braçe dhe sugjerimet e relatores.

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjet: “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar” dhe “Për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi token bujqësore”, të ndryshuar”.