Kryetarja e Komisionit per Politiken e Jashtme, znj. Mimi Kodheli, merr pjese ne Forumin Rajonal te Selanikut
- Postuar më, 17/02/2019
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi
Kodheli, mori pjesë në Forumin Rajonal të Selanikut, me ftesë të Kryetarit të
Bashkisë Selanik, z. Yiannis Boutaris. Tema e forumit ishte “Sfidat e sotme dhe
perspektivat e së ardhmes për Ballkanin 2030”. Në aktivitet merrnin pjesë
autoritete dhe parlamentarë nga vendet e Ballkanit si dhe ekspertë të fushës,
të ftuar për të diskutuar dhe shkëmbyer eksperiencat e tyre.
16 vjet pas Axhendës së Selanikut sfidat mbeten ende të
mëdha për vendet e Ballkanit. Ish-kryeministri i Greqisë dhe njëherazi
Presidenti i Internacionales Socialiste, z. George A. Papandreou, në fjalën e
tij tha se ky Forum vjen në kohën dhe vendin e duhur, pasi në vitin 2003
pikërisht në këtë qytet u hap rruga për integrimin e këtyre vendeve në BE, e që
prej atij momenti vende si Bullgaria, Kroacia apo Rumania janë tashmë pjesë e
Bashkimit Europian. Sipas tij tre janë sfidat e mëdha të këtyre vendeve:
ndërtimi dhe ngritja e qyteteve të qëndrueshme, investimi në burimet njerëzore
për ndërtimin e kapaciteteve të të rinjve, si dhe përballimi i sfidave që këto
vende kanë.
Po ashtu Forumit iu drejtua edhe ish-Presidenti i Kroacisë,
z. Ivo Josipovic. Duke treguar eksperiencën e tij gjatë drejtimit të Kroacisë
ai tha se çdo vend duhet të mësojë nga gabimet e Kroacisë.
Ndërsa znj. Kodheli gjatë fjalës së saj tha se besimi është baza mbi të cilën duhet ndërtuar bashkëpunimi mes shteteve. Ajo tha se bashkëpunimi mes shteteve nuk duhet të realizohet vetëm si një detyrim i kërkuar nga Bashkimi Evropian, por më së pari sepse jemi fqinj. Kryetarja Kodheli nënvizoi se vetëm projektet e përbashkëta rajonale do të mund të konkurrojnë dhe bëjnë të mundur përparimin e gjithë Rajonit. Në Forum ishte i pranishëm edhe deputeti Ervin Bushati.