Në mbledhjen e AP, NATO, SHBA konfirmon përkushtimin ndaj NATO-s

  • Postuar më, 19/02/2019

Prej dy ditësh në Bruksel po zhvillohet mbledhja e Komisioneve të përbashkëta të Asamblesë Parlamentare të vendeve NATO, ku merr pjesë delegacioni parlamentar nga Kuvendi i Shqipërisë kryesuar nga deputetja znj. Kodheli.

Në ditën e saj të parë, mbledhja u zhvillua nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s te Jens Stoltenberg. Diskutimet u përqendruan kryesisht tek situata gjeopolitike dhe ajo e sigurisë, rritje e buxheteve të mbrojtjes dhe vendimmarrja politike lidhur me vazhdimësinë e misioneve NATO. Gjatë ndërhyrjes së saj, znj. Kodheli tha se Shqipëria ishte vendi i parë që ratifikoi protokollin e anëtarësimit për Malin e Zi dhe është ndër të parat vende që ka bërë të njëjtën gjë me Maqedoninë e Veriut, duke treguar kështu rëndësinë që ka ky proces për vendin dhe gjithë Rajonin.

SHBA konfirmon përkushtimin ndaj NATO-s. Me këto fjalë dhe nën moton "Dialog-Transparencë-Partneritet", u zhvillua dita e dytë e punimeve të Asamblesë, ku e ftuar e nderit ishte znj. Nancy Pelosi, Kryetare e Kongresit Amerikan.

Znj. Pelosi rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe rezoluta e mbështetjes për NATO-n e miratuar në Kongres janarin e kaluar, është një demonstrim i saj. Ajo tha se vetëm dialogu i sinqertë mund të sjellë bashkëpunimin mes vendeve, duke sjellë shembullin e Rusisë. Kryetarja Pelosi duke dhënë shifra, saktësoi se 10% e Kongresit amerikan është i angazhuar në Evropë, duke treguar angazhimin e SHBA-ve në kontinentin e vjetër.

Delegacioni parlamentar i SHBA-ve ishte ndër më të përfaqësuarit. Znj. Pelosi shoqërohej nga Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Kongresit, Eliot Engel.

E ftuar ishte edhe zëvendës presidentja e Komisionit Evropian znj. Federica Mogherini e cila gjatë prezantimit u ndal tek roli i PESCO dhe e ardhmja në marrëdhëniet mes BE dhe NATO.


Share