Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektrezolutën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

  • Postuar më, 20/02/2019


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi kalendarin dhe planin e masave/aktiviteteve për zbatimin e plan veprimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë si dhe në kuadër të Rezolutës së Kuvendit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm OKB (Mars-Dhjetor 2019), si dhe kalendarin  e raportimeve vjetore të disa organeve kushtetuese, atyre të ngritura me ligj, si dhe institucionet e varësisë për veprimtarinë e tyre për vitin 2018, ku sipas kryetarit Manja janë 19 institucione që janë në fushën e  përgjegjësisë së këtij komisioni, por sivjet janë shtuar edhe organet e reja të sistemit të drejtësisë.

 

Gjithashtu, në cilësinë e komisionit përgjegjës, anëtarët  shqyrtuan dhe projektrezolutën "Për njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut, në promovimin, nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë".

 

Në fjalën e saj, zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi tha se kjo projektrezolutë ka për qëllim të  njohë dhe mbështesë veprimtarinë  e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në promovimin, nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, shtetin e së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë.

 

Sipas znj. Hysi,sot, veprimtaria e mbrojtësve të të drejtave të njeriut, është konsoliduar dhe nuk janë vetëm individë, por edhe organizata të shoqërisë civile. Znj. Hysi theksoi se  Kuvendi luan një rol të veçantë në promovimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave. “Në Kuvend ka disa mekanizma që nxisin dhe promovojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, sikurse kemi dhe mekanizmat e kontrollit parlamentar. Ne kemi bërë konsultime publike dhe kemi mbledhur opinione të organizatave dhe shoqërisë civile, institucioneve të pavarura Kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj”, përfundoi znj. Hysi.

Anëtarët e komisionit pas pyetjeve dhe përgjigjeve, e miratuan projektrezolutën duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare.