Komisioni për Integrimin Europian miratoi në tërësi projektligjin “Për censusin e popullsisë dhe të banesave”

  • Postuar më, 20/02/2019

Për të prezantuar këtë projektligj, e ftuar në komision ishte  znj. Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e INSTAT.

 

Gjatë fjalës së saj, Znj. Ibrahimaj tha se  projektligji ka për qëllim krijimin e  bazës ligjore për kryerjen e censusit të popullsisë dhe banesave dhe efektet kryesore të  pritshme janë prodhimi i treguesve statistikorë, të cilët mundësojnë një panoramë të përgjithësuar dhe  reale, mbi situatën demografiko-sociale në vend.

“Ky projektligj është hartuar duke marrë në konsideratë standardet e reja ndërkombëtare të vendosura nga Kombet e Bashkuara dhe Eurostat, për censuset e ardhshme  të popullsisë së banesave, për arsye të pozicionimit të statusit juridik të INSTAT, si edhe për të siguruar  zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga institucionet përkatëse, lidhur me censuset e kaluara”,u shpreh ajo.

Sipas drejtoreshës së INSTAT, znj. Delina Ibrahimaj projektligji është hartuar nga INSTAT-i, në bashkëpunim me një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të siguruar me mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës.

Zëvendëskryetarja  e komisionit, znj. Senida Mesi u shpreh se kjo është një kërkesë e vazhdueshme e këtij komisioni, për vetë rëndësisë  që ka edhe axhenda 2030. Znj. Mesi theksoi se një qasje e tillë duhet të gjendet në çdo vendimmarrje që bëhet nga Kuvendi, dhe në kuadër të monitorimit të qeverisë  të jenë të përfshira dhe 17 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin nen për nen, në parim, në tërësi dhe ia kaluan për shqyrtim seancës plenare.