Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 28/02/2019

28 shkurt 2019

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes për bashkëpunim teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë, ratifikuar me ligjin nr. 66/2017” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve dhe marrëveshjes së saj zbatuese”.

I pranishëm në komision për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve dhe marrëveshjes së saj zbatuese” ishte zëvendësministri i Brendshëm, z. Besfort Lamallari. Z. Lamallari u shpreh nënshkrimi i marrëveshjes do të forcojë bashkëpunimin policor ndërkufitar në luftën kundër terrorizmit, krimit te organizuar, krimit kufitar dhe emigracionit të paligjshëm. Shqipëria, sipas zëvendësministrit, përfiton mundësinë e të shfrytëzuarit të të gjithë database-t të vendeve të ndryshme nënshkruese të kësaj konvente, për kërkimin e menjëhershëm automatik online në gjurmë gishtash, profile ADN-je dhe të dhëna automjetesh të ruajtura në bazat e të dhënave të 5 vendeve të BE dhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Kjo bëhet e gjitha në funksion të një lufte më efikase kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar, hetimit të krimit, parandalimit dhe vënies para përgjegjësisë së autorëve të tyre, pavarësisht nëse janë shtetas shqiptarë që kanë kryer krime këtu dhe jashtë vendit apo anasjelltas, e më tej edhe nëse këta shtetas kanë ndërruar identitetet, të dhënat biometrike nuk mund të ndryshohen, janë të ruajtura në bazën e të dhënave të këtyre vendeve nënshkruese e rrjedhimisht Shqipërisë i krijohet mundësia për të pasur një bazë më të gjerë të dhënash për hetimin dhe zbulimin e autorëve”,- u shpreh zëvendësministri i Brendshëm, z. Besfort Lamallari.  Z. Adnor Shameti, relator i projektligjit, shprehu mbështetjen e tij për projektligjin e paraqitur në komision.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes për bashkëpunim teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë, ratifikuar me ligjin nr. 66/2017” i pranishëm në komision ishte z. Thimio Plaku, drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Z. Plaku sqaroi se kompetencat dhe autoriteti i marrëveshjes së mëparshme me palën zviceriane, në kushtet e mosekzistencës së Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Territorit, përmes këtij ndryshimi i kalojnë nga pikëpamja e politikave Zëvendëskryeministrit, ndërsa nga pikëpamja e menaxhimit te granteve dhe projekteve i kalojnë Fondit Shqiptar te Zhvillimit. Pika tjetër që sjell ndryshimi i sjellë në komision ishte zgjatja e afateve të zbatimit të këtij programi. Z. Edmond Leka, relator i projektligjit, u shpreh dakord me ndryshimet e sjella.

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi në të dy projektligjet, shqyrtoi dhe miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes për bashkëpunim teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë, ratifikuar me ligjin nr. 66/2017” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve dhe marrëveshjes së saj zbatuese”.