Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi nen për nen dhe në tërësi tre projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 06/03/2019

Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi nen për nen dhe në tërësi tre projektligje të rëndësishme; projektligji “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.7.2008”; projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2017, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjetike, faza III”” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I””.

Për projektligjin “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.7.2008”,  të ftuar ishin z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Agim Bregasi drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe z.Fatos Bundo drejtor në KESH.

Në prezantimin e këtij projektligji, z. Bejtja u shpreh se edhe më herët është miratuar në kuvend marrëveshjen për sigurinë e digave me një fond prej 12 milionë eurosh, i cili nuk ka pasur të përfshirë supervizionin në totalin e tij, dhe këto para do alokohen në supervizionin e punimeve.

“Që në momentin që e kemi negociuar, ne i kemi pasur këto para nga një marrëveshje tjetër e mëparshme po brenda të njëjtit objektiv, siguria e digave. Janë dy marrëveshje brenda një marrëveshjeje të madhe. Është e gjitha në kuadrin e një marrëveshje që kemi me Bankën Botërore për sigurinë e digave.” tha ndër të tjera z. Bejtja.

Pas diskutimeve dhe pyetjeve nga anëtarët e komisionit, ky projektligj u miratua nen për nen dhe në tërësi.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2017, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjetike, faza III””, të ftuar ishin ?            z. Ilir Bejtja zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Agim Bregasi drejtor në MIE, Alfred Bundo drejtor në MIE, z. Ardian Islami përgjegjës Sektori në MIE.

Në fjalën e tij z. Bejtja tha se kjo është faza e tretë e këtij projekti dhe kjo fazë ka nëntë godina në rehabilitim, dhe gjithashtu është pjesë e grantit e qeverisë gjermane për eficensën e energjisë në performancën e ndërtesave.

“Përmirësimi i ndërtesave nuk nënkupton thjesht eficenca por përmirësimi i volumeve mbi 25% të volumit të tyre pasi janë në një fazë goxha të avancuar sa i përket moshës dhe synon të arrijë kursim energjie.” theksoi z. Bejtja.

Komisioni vazhdoi me diskutime dhe komente, ku më pas ky projektligj u miratua nen për nen dhe në tërësi.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I””, të ftuar ishin z. Ilir Bejtja zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe znj. Ilda Malile drejtore në OSHEE.

Gjatë prezantimit të projektligjit, zëvendësministri Bejtja tha se kjo është një iniciativë e nisur herët dhe se në dhjetor të vitit të kaluar të dyja qeveritë ranë dakord të kenë një program të përbashkët, për reformimin e gjithë sistemit elektroenergjitik.

“Modernizimi i sistemit të shpërndarjes parashikon nënstacione të reja, kabllo por mbi të gjitha edhe kontroll të komanduar. Në këtë aspekt brenda të njëjtit program, qeveritë kanë rënë dakord që ne të kemi mundësi në funksion të arritjes së këtyre objektivave, të kemi mundësi të aksesojmë përsëri në fondet e qeverisë gjermane, 30 milionë euro për sistemin e shpërndarjes.” u shpreh z. Bejtja.

Në fund, ky projektligj u miratua nen për nen dhe në tërësi.