Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 11/03/2019


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut,  u mblodh sot në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, ku miratoi dy projektligje.  Projektligjin  “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.7.2008” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”   

I pranishëm në komision për te folur për  projektligjin “ Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit , ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim(IDA), për projektin “ Siguria e digave” të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.7.2008 ishte z.Agim Bregasi, drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë .

Në fjalën e tij z. Bregasi u shpreh se: "Ky projektligj është në vijim të disa akteve ligjore që ne kemi paraqitur për sigurinë e digave . Në  projektligjin e kaluar në shtator , në shumën prej 12 milion lekë të akorduara nga Banka  Botërore për sigurinë e digave kryesisht për portat e shkarkimit të tre hidrocentraleve në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës, nuk ishte parashikuar supervizioni i digave. Bëhet fjalë për alokimin e  treqindmijë eurove, nga kategoria tre  në kategorinë dy.”

Më pas, e mori fjalën relatori i çështjes z. Jyrgis Çyrbja, i cili e vuri theksin te qëllimi dhe objektivat e këtij projektligji . "Letërmarrëveshja ndryshuese  përfaqëson komunikimin ndërmjet Bankes Botërore, që  njofton rialokimin e pjesës së pashfrytëzuar të fondeve prej 300 mijë euro , nga kategoria tre në kategorinë dy. Ky rialokim do të plotësojë nevojat në rritje të sherbimit të konsulencës për të asistuar KESH në projektimin dhe supervizimin gjatë implementimit të projektit”- u shpreh Çyrbja.  

Pas pyetjeve dhe diskutimeve  nga deputetët,  projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Për projektligjin  “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”,   në komision ishte i pranishëm zv/ ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë .Z. Ilir Bejtja.

Z.Bejtja në fjalën e tij theksoi se : "Marrëveshja synon përmirësimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë,  si dhe për rritjen e sigurisë së shpërndarjes në rrjet. Marrëveshja është 30 milion euro dhe është parashikuar që për çdo fond që nuk do përdoret, të  ketë mundësi rialokimi.”

Më pas fjalën e mori relatori i këtij projektligji z. Edmond Leka, i cili theksoi ndër të tjera se: “ Nëpërmjet kësaj marrëveshje Qeveria e Republikes Federale të Gjermanisë i jep mundësinë Këshillit të Ministrave që në kuadër të bashkëpunimit publik të përfitojë një shumë financimi rreth 30 milion euro. Programi i investimeve do të ndikojë në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, në reduktimin e humbjeve të energjisë në rrjetin e shpërndarjes si dhe në rritjen e cilësisë." Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme  projektligji u miratua në tërësi .