Zhvillohet Takimi i parë i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2019.

  • Postuar më, 11/03/2019

Në datën 11.03.2019 në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua takimi i parë i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2019, nën drejtimin e Zv. Kryetarit Z. Taulant Balla.

Fokusi i këtij takimi ishte bashkëbisedimi me Ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Z. Gent Cakaj mbi ecurinë e reformave integruese gjatë vitit 2018, si dhe mbi hapat që do të ndërmerren në muajt në vijim për të mundësuar hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi kryetari i Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, informoi Këshillin në mënyrë të hollësishme mbi ecurinë e ngritjes dhe funksionimit të Organeve të reja të Qeverisjes së këtij Sistemi.

Gjatë fjalës hyrëse, Zv. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian z. Balla, u ndal te zhvillimet kryesore të procesit të integrimit europian përgjatë vitit 2018 si dhe te roli që Kuvendi i Shqipërisë ka luajtur në këtë proces në funksion të forcimit të mëtejshëm të mbikqyrjes parlamentare për procesin e integrimit me qëllim kontribuimin cilësor në legjitimitetin demokratik të këtij procesi.

Z. Balla theksoi se intesifikimi i reformave integruese shoqërohet edhe nga sfida gjithmonë e në rritje të cilat kërkojnë një rol edhe më aktiv të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian në mbikqyrje efektive të procesit të integrimit, e mbi të gjitha duke ofruar mbështetje teknike dhe konsultim me grupet e interesit. Për këtë qëllim Z. Balla ftoi shoqërinë civile të intensifikojë angazhimin në Këshilll duke ofruar të gjithë ekspertizën e tyre në procesin e integrimit. “Roli i shoqërisë civile është thelbësor në promovimin e debatit konstruktiv mbi reformat integruese dhe konsolidimin e rezultateve të qëndrueshme në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës, ekonomisë funksionale të tregut dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, theksoi Balla.

Gjatë fjalës së tij, Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Z. Gent Cakaj njohu anëtarët dhe të ftuarit e përhershëm në Këshill me rezultatet e arritura në drejtim të zhvillimeve të fundit politike dhe institucionale të ndërmarra në shtysën e vendimit të Këshillit Europian të qershorit të vitit 2018, si dhe u ndal te cështjet që kërkojnë bashkërendimin e aktiviteteve nga të gjitha institucionet e përfshira në procesin e integrimit për tre muajt e ardhshëm.

Z. Cakaj theksoi se takimi i sotëm i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian është një mundësi e mirë për koordinimin e përpjekjeve mbi ato çka mund të bëhen bashkërisht në funksion të objektivit strategjik të hapjes së negociatave për anëtarësimin.

Gjithashtu, Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të Këshillit mbi pritshmëritë për vendimin e Këshillit të qershorit 2019.

Gjatë takimit anëtarët dhe të ftuarit e përhershëm në Këshill u njohën edhe me Draft-Rezolutën e hartuar në kuadër të Raportit Vjetor për procesin e integrimit gjatë vitit 2018, dhe në zbatim të detyrimit të parashikuar në Ligjin 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.