Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me kryetarin e Entit Rregullator të Ujit

  • Postuar më, 12/03/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me kryetarin e Entit Rregullator të Ujit, lidhur me raportin e veprimtarisë vjetore të këtij institucioni, për vitin 2018. Të ftuar ishin z. Ndriçim Shani kryetar i ERRU, znj. Lindita Molla anëtare e ERRU, znj. Silvana Simaku, znj. Fatime Imeraj dhe z. Rudolf Papa.

Në prezantimin e raportit të ERRU, z. Shani në fjalën e tij u shpreh se shërbimet e furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve janë shërbime monopol dhe domosdoshmërish kanë nevojë për organizma të pavarura, siç është Enti Rregullator i Ujit, për të rregulluar politikën tarifore për eliminimin e abuzimeve me këto shërbime monopol ndaj konsumatorëve.

“Pjesa e reformës administrative dhe futja në zonën e shërbimit të këtyre zonave dhe kryesisht rurale, ka pasur probleme në lidhje me vlerësimin e aseteve që janë kërkesa ligjore për t’u licensuar dhe regjistrimi më tej i tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Për shoqëri të vogla dhe për ato që janë kryesisht në zona të largëta, hasen vështirësi të mëdha për të gjetur staf me kualifikim të caktuar në përputhje me kërkesat ligjore”- tha z. Shani.

Relatori, deputeti z. Arben Pëllumbi tha se pas leximit të plotë raportit nga ana e tij, për vitin 2018 ka një përmirësim të tregueseve, kryesisht mbulimi i kostove, rritja e nivelit të matjeve gjithashtu edhe hartimin e rregullores së re për organizimin e seancës dëgjimore me publikun.

Kryetari i komisionit z. Niko Peleshi falenderoi të ftuarit për prezantimin e shteruar në këtë seancë dëgjimore.