NJOFTIM- THIRRJE PËR PARAQITJE TË SHPREHJES SË INTERESIT PËR ANËTAR/E TË SHQIPËRISË PRANË KOMITETIT EVROPIAN PËR PARANDALIMIN E TORTURËS DHE TRAJTIMIT OSE NDËSHKIMIT JOHUMAN OSE DEGRADUES (CPT)

  • Postuar më, 13/03/2019


13 mars 2019 


Kuvendi i Shqipërisë, është njoftuar për fillimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarit të Shqipërisë pranë Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Johuman ose Degradues (CPT).

Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Johuman ose Degradues (CPT) është një organ i specializuar i Këshillit të Evropës për monitorimin e institucioneve të privimit të lirisë. Sipas Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Johuman  ose Degradues, të vitit 1987, CPT autorizohet të monitorijë trajtimin e personave të privuar nga liria.  

CPT përbëhet nga ekspertë të pavarur dhe të paanshëm, si: juristë, avokatë, mjekë, ekspertë në çështje të burgjeve ose të policisë. Çdo shtet anëtar i Këshillit të Evropës ka një përfaqësues në këtë organ monitorues me mandat 4-vjeçar (me të drejtë ri-zgjedhjeje).

Kuvendi i Shqipërisë, shpall hapjen e fazës së parë të aplikimit, thirrjen për paraqitje të interesit nga kandidatët/et.

Ftohen të shprehin interesin çdo person që përmbush kriteret e mëposhtme:

a)             ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare në një nga fushat si: drejtësi, mjekësi, psikologji, shkencat sociale, me diplomë “Master i Shkencave” ose studimet universitare jashtë vendit dhe ka marrë një diplomë të barazvlefshme, e njesuar sipas rregullave për njësimin e diplomave parashikuar nga legjislacioni në fuqi për arsimin e lartë;

b)             ka integritet moral dhe  profesional, përvojë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut;

c)             ka të paktën 10 vjet përvojë profesionale aktive në një nga fushat e mësipërme;

d)            Nuk është i dënuar me vendim penal të formës së prerë;

e)             zotëron shumë mirë, me shkrim dhe me gojë një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht);

Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:

a)      Jetëshkrimin e përditësuar sipas modelit bashkëlidhur këtij njoftimi në  gjuhën anglisht ose frengjisht;

b)      Kopje e noterizuar e diplomës/diplomave  së arsimit të lartë dhe të studimeve pasuniversitare, të titujve ose gradave shkencore në fushë, nëse ka;

c)      Kopje e  noterizuar e librezës së punës që vërteton përvojën në një nga fushat e kërkuara;

d)     Vërtetim të gjendjes gjyqësore;

e)       Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

f)       Dy rekomandime nga përfaqësues të  institucioneve të pavaruara ose  organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut.

 

Anëtarët e CPT ushtrojnë detyrat në mënyrë të pavarur të paanshme. Anëtarët e CPT mund të jenë anëtarë të shërbimit civil ose të punësuar në sektorin publik, por nuk mund të jenë persona të punësuar në qeverisjen qëndrore ose persona të angazhuar në percaktimin e politikave kombëtare në këtë fushë.

Nisur nga fakti që natyra e punës së CPT është mjaft impenjuese dhe kërkon kohë të mjaftueshme në dispozicion për realizimin e aktiviteteve të CPT kërkohet shprehja e motivimit dhe disponibilitetit dhe aftësive fizike të përshtashme për inspektime të thelluara në institucione të privimit të lirisë, si burgje, komisariate policie dhe spitale psikiatrike në vendet anëtare të Këshillit të Evropës.

Kandidatët/et që përmbushin kushtet dhe kriteret ligjore do të kontaktohen për  t’u dëgjuar në seancë dëgjimore publike para një komisioni që do të ngrihet në Kuvend. Tre kandidatët/et e përzgjedhur do të përcillen pranë Sekretariatit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të vijuar me fazat e tjera dhe përzgjedhjen e përfaqësuesit për Shqipërisë pranë CPT.

Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 28 mars 2019 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:  Kuvendi i Shqipërisë, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë. 


MODELI CV