Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, priti Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev

  • Postuar më, 13/03/2019

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, priti sot Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, dhe delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës zyrtare në Tiranë.

Në Shqipëri jeni i mirëpritur jo vetëm nga Qeveria, Kryeministri dhe Kuvendi, por nga i gjithë populli shqiptar. Maqedonia e Veriut është një vend fqinj dhe mik i veçantë i Shqipërisë, por edhe një partner i denjë në rrugën tonë të përbashkët drejt familjes europiane, në kontributet për zhvillimin dhe mirëqenien e popujve tanë si edhe paqes dhe stabilitetit në rajon. Kur ke partner besnik, rrugëtimi të bëhet më i lehtë dhe pengesat kapërcehen me më pak vështirësi.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Ruçi.

Bashkëpunimi politik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është i shkëlqyer, por ne duhet të punojmë që në këtë nivel të ngrihet edhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar.

Maqedonia e Veriut kohët e fundit po arrin suksese të rëndësishme. Marrëveshja e Prespës dhe normalizimi i marrëdhënieve me Greqinë, që u hapën rrugën anëtarësimit të vendit në NATO janë dy suksese historike.  Të dy vendet tona kanë dhënë prova se janë të përkushtuara ndaj zhvillimit, demokracisë, paqes dhe stabilitetit të rajonit.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi vlerësoi rolin pozitiv dhe konstruktiv të shqiptarëve dhe forcave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe vuri në dukje se Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë kanë nxitur e mbështetur këtë rol.

Kryetari i Kuvendit e informoi Kryeministrin Zaev edhe për vendimin më të fundit të opozitës për heqjen dorë të 57 deputetëve nga mandati i deputetit. Kryetari i Kuvendit nënvizoi se opozita gëzon të gjitha kushtet për të ushtruar përgjegjësitë  e saj parlamentare, politike e kombëtare, ligjvënëse dhe kontrolluese, si asnjë opozitë para saj. Të gjithë këto hapësira u krijuan sepse ne, me vullnetin tonë e, ndryshuam Rregulloren e Kuvendit për të krijuar të gjitha kushtet që opozita të ushtrojë përgjegjësitë e saj parlamentare. Në lidhje me pretendimet për parregullsitë e zgjedhjeve të 2017-ës, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se këto ishin  zgjedhje të drejtuara nga një qeveri e përbashkët, të kontrolluara nga opozita dhe të çertifikuara nga rreth 20 mijë administratorët që opozita kishte caktuar për administrimin e procesit zgjedhor. 

Kryeministri Zoran Zaev falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për fjalët e ngrohta dhe vlerësimin  e bashkëpunimit të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut. “Shqipëria është fqinji dhe miku më i madh i Maqedonisë së Veriut në rajon. Ju e kini treguar shumë herë këtë miqësi dhe kjo u dëshmua për herë të fundit gjatë mbështetjes për proceset e fundit europianizuese të vendit tonë si edhe ratifikimin menjëhershëm të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Këto procese i dhanë një hov të madh zhvillimit të vendit: rritjes ekonomike, punësimit, rritjes së pagave dhe mirëqenies së qytetarëve.”, nënvizoi Kryeministri Zaev. Marrëveshja me Greqinë ishte një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit rajonal dhe ky model duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera. Në lidhje me dorëheqjen e deputetëve të opozitës, Kryeministri Zaev vuri në dukje se opozita, ashtu si qeveria, ka përgjegjësitë e saj për zhvillimin e  vendit dhe ky veprim shkon përkundër këtyre përgjegjësive. Ky është një veprim që nuk mirëkuptohet nga asnjë forcë politike  që aspiron për demokraci. Politikanët duhet t’i karakterizojë ndjenja e përgjegjësisë për fatet dhe përparimin e vendit të tyre.