Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, priti sot në takim, Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Sh.T.Z. Zhou Ding

  • Postuar më, 15/03/2019

Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, priti sot në takim, Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Sh.T.Z. Zhou Ding

Duke i uruar ambasadorit, Zhou Ding, suksese në mandatin e tij si Ambasador i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve të vendosura 7 dekada më parë. Kryetari z. Ruçi u shpreh se ekziston një klimë shumë e mirë bashkëpunimi dypalësh, me një nivel të kënaqshëm të dialogut politik dhe të shkëmbimit të vizitave në nivele të lartë dhe nënvizoi synimin e institucioneve shqiptare për forcimin e dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet: në atë qeveritar, parlamentar, jo-qeveritar, akademik, kulturor dhe në të gjitha fushat me interes reciprok.

Ambasadori i Republikës së Kinës, duke e falenderuar Kryetarin z. Ruçi për mundësinë e këtij takimi u shpreh së pala kineze e konsideron Shqipërinë mike dhe partnere të besueshme në Evropën Qendrore e Lindore dhe se është e gatshme që së bashku me palën shqiptare të punojnë për zgjerimin e bashkëpunimit e shkëmbimeve në fusha të ndryshme. Z. Ding gjithashtu shprehu angazhimin e tij personal që gjatë mandatit të tij të kontribuonte në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rritjen e shkëmbimeve kulturore, ekonomike, tregtare dhe njerëzore mes dy vendeve.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kryetari i Kuvendit z. Ruçi vlerësoi rolin e Kinës në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme ndërkombëtare dhe përsëriti kërkesën që Kina të rishikojë pozicionin e saj për njohjen e Kosovës, si dhe kërkoi mbështetjen e palës kineze për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. 

Ambasadori Zhou Dung, informoi Kryetarin e Kuvendit mbi vizitën e ardhshme në Shqipëri të Nënkryetarit të Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Sh.T.Z. Zhang Qingli, vizitë që realizohet në kaudër të 70-vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve.